Morgu gjysmë milionësh në kryeqytet jashtë funksionit prej gjashtë vjetësh

Morgu gjysmë milionësh në kryeqytet jashtë funksionit prej gjashtë vjetësh

Gjashtë vjet pas ndërtimit të objektit të morgut në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, ai mbetet i pashfrytëzuar, ndonëse ndërtimi i tij është bërë me qëllim të kryerjes së ceremonive të varrimit.

Objekti nuk është funksionalizuar kurrë që nga ndërtimi i tij, teksa kostoja e ndërtimit të tij kap vlerën e gjysmë milioni eurosh, i financuar nga buxheti i Komunës së Prishtinës.

Zyrtarë të Komunës së Prishtinës dhe ata të Ndërmarrjes “Hortikultura” kanë drejtuar akuza reciproke në lidhje me mosfunksionalizimin e këtij objekti.

Të parët thonë se objekti ka mbetur peng për shkak të mosmirëmbajtjes nga ana e “Hortikulturës”, kurse drejtues të kësaj të fundit pohojnë se Komuna nuk është interesuar kurrë për këtë objekt, sepse ata janë përgjegjës për investimet dhe mirëmbajtjen e tij.

Aktualisht, në këtë objekt shfrytëzohet si zyre, një dhomë e vogël, nga disa punëtorë të Ndërmarrjes “Hortikultura” dhe atë pasi që vetë e kanë rehabilituar për ta bërë të shfrytëzueshme.

Në ditën e përurimit të tij, në nëntor të vitit 2012, ish-kryetari i Komunës, Isa Mustafa, kishte thënë se objekti do t’ua lehtësojë qytetarëve shërbimet e ceremonive të varrimit, dhe se ky ka qenë edhe qëllimi i ndërtimit të tij.

Objekti si i tërë ka 800 metra katrorë, dhe aty ka qenë i paraparë që të jenë dy salla për ngushëllime, si dhe dy banjë për shërbime funerale.