Mori pjesë në punësimin e vajzës së tij – prokuroria ngrit aktakuzë për Kryetarin e Klinës

Mori pjesë në punësimin e vajzës së tij  – prokuroria ngrit aktakuzë për Kryetarin e Klinës

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të Klinës, Zenun Elezaj, të cilin e ngarkon me veprën penale të konfliktit të interesit.

Kjo aktakuzë është ngritur nga prokurorja Valbona Dishaj-Haxhosaj, ndërsa është pranuar në Gjykatën Themelore në Pejë, më 10 tetor të këtij viti.

Sipas aktakuzës që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Elezaj akuzohet se më 20 shkurt 2018, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, duke e ditur se vajza e tij, ka për të aplikuar në pozitën “Mjeke e praksës së përgjithshme”, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në këtë çështje zyrtare, duke marrë vendim për formimin e komisionit për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies së punës.

Sipas aktakuzës, komisioni të cilën Elezaj e kishte formuar e kishte përzgjedhur si punëtore vajzën e kryetarit të Klinës, duke e punësuar atë në QKMF-në “Nëna Terezë”, në Klinë.

Në aktakuzë thuhet se hetimet ndaj kryetarit të Klinës, kanë filluar nga kallëzimi penal i ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsionit në Prishtinë, ku sipas opinionit të dhënë për prokurorinë, AKK-ja kishte përcaktuar se kryetari i Komunës duhet të përjashtohet nga çfarëdo çështje vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë anëtar të afërm të familjes.

Prokuroria Themelore në Pejë, sipas aktakuzës, më pas ka nisur hetimet ndaj Elezaj më 26 gusht të këtij viti, ku pas analizimit të provave materiale dhe dëshmisë së dëshmitarëve dhe vet të pandehurit, kjo prokurori thuhet se ka ardhur në përfundim se ekzistojnë të gjitha elementet e veprës penale të konfliktit të interesit. /BetimipërDrejtësi