Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka dhënë rrëfimin e tij mbi një çështje jashtëzakonisht të debatuar në skenën politike të vendit, në gjithë procesin e krijimit dhe votimit të Qeverisë Haradinaj.
Fakti që deputetja e LDK-së, dhe vajza e presidentit historik, Ibrahim Rugova, votoi në seancën e parë të Kuvendit në favor të koalicionit PAN dhe e gjithë kjo ishte arritur me angazhimin e sekserëve sikurse Dardan Gashi, Astrit Haraqija dhe vëllait të Teutës, Ukë Rugova, nuk e shtynë Mustafën që të thotë me siguri nëse Gashi mori pozitën e zëvendës kryeministrit dhe ministrit të Diasporës pas angazhimit të tij për votën pro të Teuta Rugovës.
Mustafa, edhe pse në emisionin Rubikon të KTV-së, përmendi fjalën “sekser” duke iu referuar formimit të Qeverisë mbi bazën e angazhimit të sekserëve për të siguruar vota nga partia e tij, e la të nënkuptohej.
“Tash nuk mund të flas për këtë aspekt me shumë siguri, por unë nuk e di mbi çfarë baze ka ardhur z.Gashi si zëvendës kryeministër dhe ministër. Haradinaj e din më së miri dhe z.Veseli. Në raste të ndryshme mund ta marrësh nga shoqëria civile, por në rastin konkret është shumë e çuditshme emërimi i Gashit. Sepse është kontribut i jashtëzakonshëm i tij për këtë Qeveri dhe këto do të dalin, sepse cdo gjë në Kosovë shpërfaqet duke qenë vend i vogël”, tha Mustafa.
Shtegtimi i Dardanit Gashit përreth partive politike përfshin Listën Rugova, AAK-në, PDK-në, AKR-në. Është rikthyer sërish afër AAK-së, të cilën bashkë me shokë e kishin tradhtuar më 2011.http://www.insajderi.com/rrugetimi-sekserit-gashi-drejt-dy-posteve-qeveritare/
Posted by Insajderi on Tuesday, 12 September 2017
Ish-kryeministri Mustafa tha se nuk mund të japë ndonjë shpjegim, sepse përpos faktin që ka vizituar familjen Rugova dhe ka dëgjuar disa qëndrime të tyre, ai nuk është marrë më, me këtë cështje.
“Ajo si deputete duhet ta marrë qëndrimin e vet por edhe familja Rugova që ka respekt të madh. S’mund ta përziejmë familjen me Parlamentin dhe politikën. Por Teuta e ka pasur votën e vet, ne gjithmonë kemi insistuar që vota të mbetet brenda LDK-së. Përfundimisht ajo nuk e ka votuar z.Veseli për kryetar as për Qeverinë, dhe është çështje e vendimit të saj. Unë e di që ka pasur një presion sepse gjithmonë ka pasur njerëz që kanë tentuar të bëjnë pazare të ndryshme dhe të përfitojnë nga këto marrëveshje”, ka thënë Mustafa në Rubikon.
Sipas tij, Teuta Rugova vazhdon të mbesë në LDK dhe të punojnë së bashku, përkundër të gjitha dallimeve të shfaqura nga Rugova në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës./Insajderi.com