Mos e dhunoni më shumë Vasfijen!

Tashmë, historia e dhunimit të grave dhe vajzave shqiptare është ndarë në dy periudha: para dhe pas rrëfimit të Vasfijes. Para rrëfimit të saj, historia jonë e luftës së fundit i takonte vetëm heroizmave komandantëve dhe dëshmorëve. Viktimat thuajse nuk kishin asnjë meritë për vëmendjen tonë. Gjithçka u takonte atyre, trimave, të fortëve.

Mos e dhunoni më shumë Vasfijen!

Shumica e tregimeve të luftës të dëgjuara deri tash janë të rrejshme. Nganjëherë edhe mënyra se si tregohen rrëfimet e vërteta, i bën të duken të rrejshme.

Pakkush mund ta besojë se një komandant lufte ka kënduar gjatë kohës kur po i vriteshin familjarët e tij. Megjithatë, ne e besojmë atë. Duam ta besojmë atë.

Kurrkush nuk e beson se ne do ta çlironim Kosovën, pa ndërhyrjen e NATO-s. Do të zhbëheshim krejtësisht si popull nëse nuk do të ndodhte kjo ndërhyrje ushtarake. Megjithatë, komandantët kanë rrejt se UÇK-ja ka bërë atë lloj lufte që do ta gjunjëzonte Serbinë edhe pa ndërhyrjen e NATO-s.

Për ta kuptuar se çfarë gënjeshtrash lufte i janë sërvuar popullatës, duhet t’i rishikojmë dokumentarët e Nuhi Bytyqit, të RTK-së e RTSH-së.

Këto tregime, shumica të rrejshme nuk u kanë lënë hapësirë tregimeve të vërteta si ai i Vasfije Krasniqit. Për më keq, nuk kemi dashur t’i dëgjojmë. Sepse ato mund të na thyenin mitin e komandantëve e dëshmorëve që kanë “pritur plumba më dhëmbë”.

Tregimin e përjetimit të tmerrit të Vasfijes, më ka rënë ta lexoj para katër vjetësh. Kam raportuar për të nga procesi gjyqësor, ani se i mbyllur për publikun. Të gjithë ato që Vasfija i ka thënë publikisht këtë javë, i ka thënë gjatë gjykimit.

Vasfija nuk ka hezituar të flas e tregojë për dhunën e ushtruar ndaj saj. Para hetuesve, para prokurorëve e gjykatësve. Madje ka rrëfyer edhe para ushtarëve të UÇK-së, pak orë pas shpëtimit të kthetrave të dy kriminelëve serbë. T’u tregojë atyre se kush e ka rrëmbyer, dhunuar seksualisht, shpirtërisht e moralisht.

Asnjë pikë nga përjetimi i saj nuk e ka hequr as gjatë procesit gjyqësor. Një tregim i vërtetë e autentik, siç thuhet edhe në aktvendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës. Asnjë dyshim nuk është hedhur në këtë tregim.

Dhunuesit e saj, njëri prej të cilëve ka punuar për 16 vjet në Policinë e Kosovës nuk u dënuan. Fituan pafajësinë si pasojë e një gabimi të aplikuar nga hetuesit në procesin e identifikimit: Kishin vënë pak fotografi para saj; fotografia e dhunuesit kryesor – policit, mbante shenja sepse ishte nxjerr nga letërnjoftimi.

Këto dy argumente kanë rrëzuar aktgjykimin dënues.

Heroina jonë, siç po cilësohet me të drejtë, Vasfije Krasniqi, kishte bërë atë që do të duhej ta bënte secila viktimë në Kosovë: kërkimin e drejtësisë.

Ama, nuk e bëjnë të gjitha. Sepse po ta bënin, do të rrëzohej tregimi i heroizmave tanë. Madje, duhej që para drejtësisë të nxirreshin edhe dhunuesit seksual shqiptarë të femrave shqiptare.

Një rast i tillë ka ndodhur jo shumë vjet më parë kur një grup ushtarësh të UÇK-së ishin akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile. Një prej pikave të aktakuzës ka qenë dhunimi seksual i dy vajzave shqiptare nga Shipoli i Mitrovicës.

Komandantë, politikanë, organizata të luftës, qenë aktivizuar që ta legjitimonin dhunimin seksual të atyre dy vajzave shqiptare nga njerëz të UÇK-së. Me logjikën e tyre, ato meritonin dhunimin seksual nga ushtarë shqiptarë të UÇK-së, sepse një kohë të gjatë ishin dëfryer me policë serbë.

Kurva – i cilësonim ato.

Në rregull, e konsideronim edhe dhunimin seksual që supozohet se kishte ndodhur në Vaganicë e Likoc.

Në fakt, edhe ato ishin viktima të luftës dhe dhunimit seksual që duhej të paktën të mos legjitimohej dhunimi i tyre. Nëse ishin kolaboracioniste, meritonin gjykim të drejtë, e dënim meritor, por jo dhunim seksual.

I akuzuari, u shpall i pafajshëm në mungesë të provave që çonin përtej dyshimit të bazuar. Shoqëria u kënaq kur nuk u dëshmua dhunimi i dy vajzave shqiptare nga ushtarë të UÇK-së, të cilat ishin dëfryer me policë serbë.

Të kthehemi tek guximi i Vasfijes.

Fillimisht, ajo ka bërë atë që duhej ta bënte secila viktimë: inicimin dhe ballafaqimin në gjyq me kriminelët. Meqë, Gjykata gjeti se ka pasur gabime në procesin e identifikimit që për pasojë dhunuesit u shpallën të pafajshëm, Vasfia rrëfeu publikisht krimin e kriminelëve serbë.

Tashmë, historia e dhunimit të grave dhe vajzave shqiptare është ndarë në dy periudha: para dhe pas rrëfimit të Vasfijes.

Para rrëfimit të saj, historia jonë e luftës së fundit i takonte vetëm heroizmave komandantëve dhe dëshmorëve. Viktimat thuajse nuk kishin asnjë meritë për vëmendjen tonë. Gjithçka u takonte atyre, trimave, të fortëve.

Pas këtij rrëfimi kemi hyrë në epokën e vëmendjes për viktimat e pafajshme. Vasfija, po merr vëmendjen dhe vlerësimin e merituar nga shoqëria. Fatkeqësisht, ka nisur abuzimi me vuajtjet e saj.

Presidenti Hashim Thaçi, e dekoroi me medalje “Qytetar i Merituar i Republikës së Kosovës”. Vërtetë ajo është qytetare e merituar.

Por, presidenti nuk e meriton që këtë titull t’ia ndajë asaj. Të padenjë për këtë e bën iniciativa e tij për themelimin e Komisionit të pajtimit dhe të së vërtetës, me çka Serbisë ia shtrin dorën e pajtimit pa kërkuar falje për asnjë krim të kryer në Kosovë, përfshirë dhunimin seksual të Vasfijes nga policë të regjimit të Milosheviqit, pjesë e të cilit ishin Aleksandër Vuçiq dhe Ivica Daçiq.

Vasfija bëri atë që duhej bërë. Luftoi për drejtësi. Tash, ajo duhet edhe të mbrohet nga abuzimi tjetër fare që mund ta bëjë shoqëria jonë: dhunimin e të vërtetës së saj. Insajderi.com