Mos e gozhdoni një fëmijë – ai është produkt i racizmit tonë

Këtë fëmijë e kemi rritur ne, dhe ne e kemi bërë racist. E kemi bërë racist, homofob e të gatshëm që të sulmojë këdo që nuk i përshtatet rregullave që ai i ka mësuar në këtë shoqëri. Këto rregulla primitive i kemi krijuar ne. Ne i kemi mësuar atij se romët nuk bënë të respektohen, por të fyhen e dhunohen. Se homoseksualët janë të sëmurë, se gruaja duhet të dhunohet, se shteti nuk dënon dhunuesit. 

Mos e gozhdoni një fëmijë – ai është produkt i racizmit tonë

Ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku, nëpërmjet një postimi në Facebook, duke folur për sulmin e dytë që i ndodhi një gruaje rome në Ferizaj, tregoi një histori që ndoshta më së miri e shpërfaqë shoqërinë tonë të zhytur në racizëm. Vlora tregoi sesi kur ka qenë në shkollë fillore, në klasë ka pasur dy nxënës rom, me të cilët nuk ka folur askush në klasë.

“Nurija dhe Fitimi e ndërprenë shkollën. Se ne ua bëmë të padurueshme. Sot, fëmijët tanë po i rrahin në rrugë Nurijen, Fitimin, dhe fëmijët e tyre. Turpi qoftë mbi ne”, shkroi Vlora. Dhe ajo ka plotësisht të vërtetë.

Disa orë pasi ndodhi sulmi, Policia reagoi duke e arrestuar, dhe fill pas kësaj nisi një fushatë e re dhune e urrejtje. Publikuan fotografitë e adoleshenti që kreu sulmin. Por kjo është lufta më e lehtë që ne mund të zgjedhim për të mbyllur këtë sulm. Këtë turp. Gozhdimi i një të mituri për një sulm që ai e kreu, është shfajësim i joni, dhe ne si shoqëri nuk e meritojmë që të shfajësohemi.

I mituri nuk e meriton të gozhdohet sepse ai me këtë sulm, nuk është se tregoi vetën, por na përplasi fytyrës atë kush jemi ne si shoqëri kosovare. Si njerëz që i kemi mbi 18 vjet dhe që mbajmë përgjegjësi për atë se kush jemi bërë. Se çfarë shoqërie kemi krijuar.

Këtë fëmijë e kemi rritur ne, dhe ne e kemi bërë racist. E kemi bërë racist, homofob e të gatshëm që të sulmojë këdo që nuk i përshtatet rregullave që ai i ka mësuar në këtë shoqëri. Këto rregulla primitive i kemi krijuar ne. Ne i kemi mësuar atij se romët nuk bënë të respektohen, por të fyhen e dhunohen. Se homoseksualët janë të sëmurë, se gruaja duhet të dhunohet, se shteti nuk dënon dhunuesit.

Ai nuk ka mundur  vet të krijojë e të rrisë një ndjenjë të tillë raciste e të dhunës. Ai e ka parë tek ne, këtë racizëm. Kur ka qenë fëmijë, ka dëgjuar në familjen e tij gjuhë fyese ndaj komuniteteve rom, ashkalinj e egjiptas. Ka dëgjuar në rrugë fjalën “magjup” shumë herë më shumë sesa fjalën “njeri”. Ne e kemi bërë racist.

Kur ka shkuar në shkollë, është mësuar nga mësues të cilët nuk e kanë në agjendë të tyre edukimin se të gjithë jemi të barabartë. Është shkolluar nëpër klasë ku diskriminimi është i pastër. Njësoj sikurse në kohën kur Vlora Çitaku ka qenë fëmijë. Asgjë nuk ka ndryshuar. Ende fëmijët rom, ashkalinjë e egjiptas, ulen veçmas nëpër klasat e shkollave. Ende ata janë “magjup”. Sepse të gjithë i thonë ashtu, nga pastruesi në shkollë deri tek arsimtari e drejtori i shkollës. Pra, ne kemi dështuar që të krijojmë një sistem të mirë edukimi. Ose e kemi lejuar që të degradohet shkolla e arsimtari.

Mbi të gjitha ai është rritur në një shoqëri që ka lejuar të bëhemi një shtet që nuk ngrihet në këmbë për të kërkuar edukim. Hapësira edukuese për fëmijë. Ku fëmijët punojnë edhe punë krahu, për të siguruar ushqimin.

Ndoshta, i mituri nuk ka kryer sulmin për shkak se gruaja ishte rome. Edhe nëse sulmin e ka kryer, sepse ka dëgjuar se “gruaja në fakt është një burrë i maskuar që po vjedh fëmijë”, këtë arsyetim për dhunë, nuk e ka shpikur ai. Këtë rrenë të tmerrshme e kemi shpikur ne. Andaj ai nuk e meriton të gozhdohet. Ai vetëm na ka treguar se është koha të korrim atë çfarë kemi mbjellë ne si shoqëri homofobe. Mijëra adoloshentë të gatshëm ta demonstrojnë atë çfarë mësuar. Dhe ta dëshmojë se është rritur për të vënë drejtësi.

Sepse ai është rritur në një shoqëri që është hapur pro diskriminit e dhunës ndaj personave, homoseksual, lesbike e sidomos transgjinor. Sepse ai është rritur në një shoqëri që nuk e toleron e përtej kësaj e fyen dhe e dhunon një person transgjinor, sidomos kur transgjinori është një “burrë” fizikisht por ndihet “grua”. Ne kemi dështuar që t’ua sqarojmë fëmijëve tanë se transgjinorët nuk janë të sëmurë, e as nuk “vjedhin fëmijë”.

Në librat që mësojnë fëmijët kemi lejuar gjuhë urrejtje dhe fyese ndaj komunitetit LGBTIQ+. Ai nuk ka pasur sesi ta kuptojë ndryshe këtë komunitet. Atë e kemi mësuar ne. Ai ka parë sesi shumica e kosovarëve bëjnë thirrje për vrasje ndaj këtyre personave, kur një debat zhvillohet për këtë komunitet. Ne kemi rritur fëmijë homofob.

Edhe nëse asnjë nga opsionet mbi arsyen e dhunës mos të jetë e vërtetë, vet akti i dhunës së këtij të mituri, na përplasë fytyrës, mësimin që ka marrë nga shoqëria kosovare. Një shoqëri kosovare që sulmon gratë nëpër familje, në rrugë e kudo tjetër. Në fakt ai është rritur në një shoqëri që e zë normale dhunën si mjet funksionimi ndaj të ligit, ndaj të pambrojturit. Dhe ku respektohet i forti, ai që dhunon. Vrapi që ai bënë për ta grushtuar gruan para dhjetra të miturve të tjerë, është një vrap i patriarkalizmit që e kemi ndërtuar në shoqëri, ku burri është dhunuesi. Dhe i falet.

Ai është rritur në një shoqëri që ka lejuar një sistem të drejtësisë që falë sulmuesit e dhunuesit. Vetëm një ditë para se ky i ri të sulmojë këtë grua, ka parë sesi Policia e Kosovës e ka liruar sulmuesin tjetër, një të ri nga Lipjani. Sikur Policia të tregohej e ashpër me sulmuesit e dhunuesit, ai nuk do të mund të ishte një sulmues, kaq lehtësisht. Ne ia kemi dhënë dritën e gjelbër që ai të bëhet sulmues. Ne jemi duke rritur një gjeneratë që potencialisht mund të jetë gjenerata e turpit tonë. Andaj në vend që ta gozhdojmë atë, duhet ta gozhdojmë vetën. E atij, t’ia japim një shans si kërkim falje për dëmin që ua kemi shkaktuar fëmijëve tanë./Insajderi.com