fbpx

Mos ia vini fajin ekonomisë, por politikave publike

Shkruan: Ricardo Haussman

Mos ia vini fajin ekonomisë, por politikave publike

Inxhinieria dhe Mjekësia, në shumë drejtime janë shkëputur prej shkencave që qëndrojnë në themel të tyre, fizikës dhe biologjisë. Shkollat e politikave publike, të cilat kanë një fokusim të fortë mbi ekonominë, tani duhet të rishikojnë mënyrën se si mësojnë studentët – dhe shkollat mjekësore mund të ofrojnë një model që duhet ndjekur

Amman – Eshtë bërë zakon që të fajësohet ekonomia apo ekonomistët, për shumë prej të këqiave të kësaj bote. Kritikët bëjnë përgjegjëse teoritë ekonomike, për rritjen e pabarazisë, mungesën e vendeve të mira të punës, brishtësinë financiare dhe rritjen e ulët ekonomike, mes të tjerave. Por ndonëse kritikat mund të nxisin ekonomistët që të përpiqen më fort, mësymja e përqëndruar kundër këtij profesioni ka larguar jo qëllimisht vëmendjen nga një disiplinë, e cila mund të ofrojë shumë më tepër për të fajësuar: politikat publike.

Ekonomia dhe politikat publike janë të lidhura ngushtë mes tyre, por nuk janë e njëjta gjë, dhe nuk duhet të shihen kështu. Ekonomia është për politikat publike, ashtu siç fizika është për inxhinierinë, apo biologjia për mjekësinë. Ndërkohë që fizika është themelore për projektimin e raketave që mund të përdorin energjinë për të sfiduar gravitetin, Isak Njutoni nuk ishte përgjegjës për fatkeqësinë që i ndodhi anijes kozmike “Challenger”. Po kështu, biokimia nuk mund të fajësohet për vdekjen e Majkëll Xheksonit.

Fizika, biologjia dhe ekonomia, si shkenca, u përgjigjen pyetjeve mbi natyrën e botës ku ne jetojmë, duke prodhuar atë që historiani i ekonomisë Joel Mokyr i Northëestern University, e quan dija propozuese. Nga njëra anë, inxhinieria, mjekësia dhe politikat publike, u përgjigjen pyetjeve se si të ndryshojmë botën në mënyra të caktuara, gjë që na shpie tek ajo që Mokyr e quan dija rekomanduese.

Ndonëse shkollat e inxhinierisë mësojnë fizikë dhe shkollat mjekësore biologji, këto disiplina profesionale janë shkëputur – në shumë drejtime – prej shkencave që qëndrojnë në themel të tyre. Në fakt, duke zhvilluar kriteret e veta të ekselencës, kurikulës, studimeve dhe rrugëve të karrierës, inxhinieria dhe mjekësia janë shndërruar në specie të veçanta.

Ndryshe nga këto, shkollat e politikave publike nuk kanë pësuar një transformim ekuivalent. Shumë prej tyre as nuk punësojnë prej fakulteteve të veta, por përdorin profesorë nga shkencat bazë si ekonomia, psikologjia, sociologjia apo shkencat politike. Shkolla e politikave publike në universitetin ku unë punoj, Harvard, ka një fakultet të vetin shumë të madh – por ajo rekruton kryesisht të diplomuar me Phd në shkenca bazë, dhe i promovon ata në bazë të botimeve të tyre në revistat kryesore të këtyre shkencave, dhe jo në ato të politikave publike.

Përvoja në politikëbërje para arritjes së qëndrueshmërisë profesionale dekurajohet dhe është e rrallë. E madje edhe ata që kanë një farë jetëgjatësie në profesion, kanë një angazhim çuditërisht të kufizuar me botën, kjo për shkak të praktikave mbizotëruese të punëmarrjes, si dhe një frike se angazhimi jashtë fakultetit mund të sjellë risqe mbi reputacionin e universitetit. Për të kompensuar këtë, shkollat e politikave publike punësojnë profesorë të praktikës, si puna ime, të cilët kanë përftuar më herët dhe gjetkë, eksperiencë në hartim politikash.

Në kuptimin e mësimdhënies, mund të mendosh se shkollat e politikave publike do të kishin përshtatur një qasje të ngjashme me shkollat e mjekësisë. Në fund të fundit, edhe doktorët, edhe specialistët e politikave publike thirren për të zgjidhur probleme dhe të diagnostikojnë shkaqet respektive. Ata duhet gjithashtu të kuptojnë serinë e zgjidhjeve të mundshme, si dhe të gjejnë pro-të dhe kundra-t e gjithësecilës. Në fund, ata duhet të dijnë se si të vënë në zbatim zgjidhjen që propozojnë, si dhe të vlerësojnë nëse ajo po funksionon.

E prapëseprapë, shumica e shkollave të politikave publike ofrojnë programe masteri vetëm 1 apo 2 vjeçare, dhe kanë një program të vogël Phd me një strukturë zakonisht të ngjashme me atë të shkencave. Kjo qasje është shumë prapa, mënyrës se si shkollat mjekësorë trainojnë doktorët dhe çojnë përpara disiplinën e tyre.

Shkollat mjekësore (të paktën në SHBA) i pranojnë studentët pasi ata kanë përfunduar një program kolegji 4-vjeçar, në të cilin kanë ndjekur një seri minimale kursesh. Studentët e mjekësisë më pas ndjekin një program 2-vjeçar mësimdhënieje, që pasohet me dy vite gjatë të cilëve shkojnë me rotacion në disa departamente në të ashtuquajtur spitale të praktikës, ku mësojnë se si gjërat bëhen në praktikë, shoqëruar prej doktorëve dhe ekipeve të tyre.

Në fund të 4-vjeçarit, doktorët e rinj marrin një diplomë. Por më pas, duhet të nisin një qëndrim 3-9 vjeçar (në varësi të specialitetit) në një spital praktike, ku mbikëqyren prej doktorëve më me përvojë, por ku marrin gjithnjë e më shumë përgjegjësi. Pas 7 deri 13 vite studime pas diplomimit, atyre më në fund u lejohet të punojnë si doktorë pa supervizim, ndonëse disa ndjekin bursa studimi të supervizuara, në fusha të caktuara.

Ndryshe nga shkollat e mjekësisë, ato të politikave publike praktikisht pushojnë së dhëni mësim studentëve pas dy vitesh studimi në klasë, dhhe (përveç programeve të Phd) nuk ofrojnë vitet shtesë të trainimit që ofrojnë shkollat e mjekësisë. E megjithatë, modeli i spitaleve të praktikës mund të jetë efikas edhe në politikat publike.

Mendoni për shembull, Laboratorin e Rritjes të Universitetit të Harvardit, të cilin e themelova në vitin 2006, pas dy angazhimesh të miat në hartim politikash në El Salvador dhe Afrikën e Jugut. Që atëherë, kemi punuar në dhjetëra shtete dhe rajone. Në disa drejtime, laboratori ngjan pak me një spital praktike. Ai fokusohet në kërkim dhe në punën klinike të shërbimit të “pacientëve”, ose qeverive në rastin tonë. Veç kësaj, ne rekrutojmë të diplomuar me Phd (ekuivalenti i doktorëve që sapo kanë përfunduar studimet) si dhe të diplomuar në programe masteri (si studentët e mjekësisë, pas dy viteve të para të shkollës). Ne gjithashtu rekrutojmë të diplomuar në kolegje, si asistentë kërkimesh, ose “infermiere”.

Në adresimin e problemeve të “pacientëve tanë”, Laboratori zhvillon mjete të reja diagnostikuese për të identifikuar, si natyrën e problemeve që ata ndeshin, ashtu edhe metodat terapeutike për t’i kapërcyer ato. Dhe ne punojmë bashkë me qeveritë për të implementuar këto ndryshime. Dhe pikërisht këtu mësojmë më shumë. Në këtë mënyrë, ne sigurojmë që teoria të informojë praktikën, dhe që vëzhgimet e bëra në praktikë të informojnë kërkimet tona të ardhshme.

Qeveritë janë të prirura të besojnë tek Laboratori, sepse ne nuk kemi një motiv përfitimi, por thjesht një dëshirë për të msuar bashkë me ta, duke i ndihmuar të zgjidhin problemet e tyre. “Studentët” tanë rrijnë me ne 3 deri 9 vite, ashtu si në një shkollë mjekësie, dhe shpesh herë zënë pozicione të larta në qeveritë e vendeve të tyre, pasi largohen. Në vend që të përdorim eksperiencën tonë për të krijuar “pronësi intelektuale”, ne e japim atë përmes publikimeve, mjeteve online dhe kurseve. Shpërblimi ynë është fakti që të tjerët vënë në zbatim metodat tona.

Kjo strukturë nuk ishte e planifikuar: ajo thjesht u shfaq rrugës. Nuk u promovua nga lart, por thjesht u lejua të zhvillohet. Megjithatë, nëse do të përqafohej kjo ideja e këtyre “spitaleve të praktikës”, ajo do të ndryshonte radikalisht mënyrën se si politikat publike do të çoheshin përpara, mësoheshin dhe viheshin në shërbim të botës. Ndoshta pas kësaj, njerëzit do të pushonin së fajësuari ekonomistët për gjëra, që nuk duhej të kishin qenë kurrë përgjegjësi e tyre.

Ricardo Hausmann, ish Ministër i Planifikimit në Venezuelë dhe ish Krye Ekonomist në Bankën Inter-Amerikane për Zhvillim, është profesor në Harvard Kennedy School dhe Drejtor i Harvard Growth Lab

Project Syndicate – Bota.al