“Mos ma kufizo lëvizjen” – Kurti në marsh me deputetin e LDK-së

“Mos ma kufizo lëvizjen” – Kurti në marsh me deputetin e LDK-së

Në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë sot është mbajtur marshi me moton “Mos ma kufizo lëvizjen” që ka për qëllim vetëdijesimin e shoqërisë për mungesën e infrastrukturës në Kosovë për personat me aftësi të kufizuara. Në këtë marsh morën pjesë edhe kryeministri Albin Kurti me kryekuvendaren Vjosa Osmanin.

Në një postim në profilin e tij në rrjetin social Instagram, Kurti ka shkruar se është e domosdoshme që ata që kanë nevojat më të mëdha, duhet të ndihmohen më së pari e më së shumti.

“Në botë kemi panumër raste kur njerëz në karrocë i kanë dhënë edhe dije edhe lidership botës. Po i marr dy shembuj: është shkencëtari Stephen Hawking i cili është autori i atij librit të famshëm “Një histori e shkurtër e kohës”, dhe, në anën tjetër është ish presidenti amerikan, ndërmjet dy luftërave botërore dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, Franklin Delano Roosevelt, i cili qysh në moshën 39 vjeçare u pat diagnostifikuar me sëmundjen e polios, e pashërueshme, e cila e degjeneroi fizikun e tij, por jo edhe mendjen”, ka shkruar Kurti.

Tutje ai ka thënë se zyra e tij dhe e kryeparlamentares Osmani do të jetë çdo herë e hapur për personat me nevoja të veçanta.

“Si në Kuvendin e Republikës, te Kryetarja Osmani, ashtu edhe në Qeverinë e Kosovës, tek unë si Kryeministër, do ta keni jo vetëm fizikisht por edhe politikisht e shoqërisht atë shtegun e pjerrët pa pengesa që ua mundëson të vini te zyrat tona që do të jenë gjithnjë të hapura për juve”, ka shkruar kryeministri Kurti në Instagram.

Në marshin e sotëm, kryeministri është parë duke shtyrë karrocën e deputetit të LDK-së, Fetah Rudi.

Fetah Rudi, një ish-mësues dhe aktivist politik, e përdor një karrige me rrota tash e 19 vjet, që kur persona të armatosur ende të paidentifikuar i kishin shkarkuar atij 14 plumba në stomak dhe në shpatull, në një incident që kishte ndodhur në afërsi të fshatit Rud.

Deputeti i LDK-së kishte thënë se plumbat që gati e vranë atë në dhjetor të vitit 2000 – 18 muaj pas përfundimit të luftës dhe largimit të forcave serbe – ishin shtënë nga e njëjta armë që një muaj më parë ishte përdorur për të vrarë gazetarin Xhemajl Mustafa.

 

View this post on Instagram

 

1 marsi është Dita Ndërkombëtare e Përdoruesve të Karrocës. Sot, me Kryetaren e Kuvendit, znj. Osmani dhe bashkarisht me HANDIKOS-in e persona me aftësi të kufizuara lëvizëm nga sheshi “Skënderbeu” drejt sheshit “Zahir Pajaziti”. Në fjalën time theksova se është e domosdoshme që ata të cilët i kanë nevojat më të mëdha të ndihmohen më së pari e më së shumti. Në vazhdim mund ta lexoni një pjesë të fjalës sime: Në botë kemi panumër raste kur njerëz në karrocë i kanë dhënë edhe dije edhe lidership botës. Po i marr dy shembuj: është shkencëtari Stephen Hawking i cili është autori i atij librit të famshëm “Një histori e shkurtër e kohës”, dhe, në anën tjetër është ish presidenti amerikan, ndërmjet dy luftërave botërore dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, Franklin Delano Roosevelt, i cili qysh në moshën 39 vjeçare u pat diagnostifikuar me sëmundjen e polios, e pashërueshme, e cila e degjeneroi fizikun e tij, por jo edhe mendjen. Ishte pikërisht Roosvelt ai i cili me këmbëngulësinë e vet u bë president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe, në mesin e shumë gjërave të mençura që i ka thënë ai, e i ka bërë ai, unë po e përkujtoj një citat të tij “Njerëzit nuk janë rob të fatit të tyre, por të mendjes së tyre”. Këtë ta kuptojnë të gjithë qytetarët e Republikës, sikurse edhe Qeveria edhe Kuvendi, në mënyrë që me trajtimin solidar që ua bëjmë njerëzve në karrocë dhe jo vetëm atyre, ne të dëshmojmë se çfarë shteti e shoqërie duam të bëhemi. Si në Kuvendin e Republikës, te Kryetarja Osmani, ashtu edhe në Qeverinë e Kosovës, tek unë si Kryeministër, do ta keni jo vetëm fizikisht por edhe politikisht e shoqërisht atë shtegun e pjerrët pa pengesa që ua mundëson të vini te zyret tona që do të jenë gjithnjë të hapura për juve.

A post shared by Albin Kurti (@albinkurti_) on