Ish-komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, njëherësh edhe ekspert i sigurisë, Kadri Kastrati, ka thënë se Përmes Kosovës kalojnë të gjitha rrugët nga lindja në perëndim, për çka sipas tij, rreziku për përhapjen e terrorizmit është tejet i madh, njofton Insajderi.
Kështu ka bërë të ditur ai për KosovaPress, derisa ka pohuar se Kosovs është hendikepuar në luftimin e terrorizmit, meqë si vend nuk ka arritur të jetë anëtare në organizata ndërkombëtare, siç është Interpoli.
“Një prej hendikepeve më të mëdha të Kosovës, është që Kosova nuk është anëtare e Interpol-it dhe Europol-it dhe mekanizmave të tjerë të cilët janë shumë të rëndësishëm në kohën e sotme kur luftohet terrorizmi, për të shkëmbyer informacionet, për të informuar njëri-tjetrin se për këto lëvizje që janë jashtëzakonisht të rrezikshme për Kosovën dhe rajonin dhe aspektin global”, deklaron Kastrati.
Kastrati thotë se duhet të fuqizohen institucionet e drejtësisë e sigurisë, që të identifikohet nëse ka elemente të këtyre organizatave në vend. Meqë sipas tij, me marrëveshjen e fundit të nënshkruar në Uashington, Kosova ka marrë obligim që të luftojë edhe organizata tjera terroriste.
“Ministria e Punëve të Brendshme dhe mekanizmat e tjerë edhe politikë edhe operativë duhet në Kosovë të fillojnë të identifikojnë a ka elemente në Kosovë të terrorizmit. E, atëherë nëse identifikojnë që ka elemente duhet të bëjnë një strategji për t’i luftuar këta, për t’i kapur apo për t’i eliminuar gjitha elementet që kanë të bëjnë me këto organizata. Por, jo vetëm me këtë. Kemi edhe organizata të tjera, nuk duhet të fokusohemi vetëm në Hezbollah, ne duhet të fokusohemi edhe në organizata të tjera”, shton ai për KosovaPress.
Se Kosova është e hendikepuar me mos anëtarësimin në Interpol e thotë edhe eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi.
“Nëse nuk jemi pjesë aktive e një organizate siç është Interpol-i, vet zbatimi i menjëhershëm i një procesimi të një informacioni apo një të dhëne, një qasje, për shembull të një anëtari të një organizate terroriste apo krimit të organizuar, çdo vonesë ka pasojat e veta të paevitueshme”, thekson ai. /Insajderi.com