Mot i ftohtë pritet të mbajë gjatë javës së ardhshme në Kosovë. Të hënën dhe mërkurën mbrëma mundësi për rrebeshe bore. Nga e mërkura temperaturat maksimale në rritje.
Sipas Prishtina Weather, masa më të ngrohta ajrore, që ditëve të para të javës do të shtrihen nga Evropa Perëndimore, nga dita e mërkurë fillojnë të arrijnë edhe mbi vendin tonë duke rritur temperaturat maksimale edhe në vlera pozitive.
Me motin e qëndrueshëm që parashihet të kemi në ditët e ardhshme, nuk pritet të ketë qarkullim të mjaftueshëm ajror, e ndotësit ajror do të mbeten më të përqendruar pranë sipërfaqes tokësore, ku vlerat e indeksit të cilësisë së ajrit do të rriten në vlera të dobëta dhe shumë të dobëta, e herë-herë mund të kalojnë edhe në jashtëzakonisht të dobëta.
15.02 – Shumë ftohtë, me erë pasdite. Pjesërisht vranët me mundësi për ndonjë rrebesh të dobëta bore. Në mbrëmje kthjellime.
16.02 – Në mëngjes shumë ftohtë. Ditën kryesisht me diell, herë herë me vransira kalimtare.
17.02 – Kryesisht me diell. Në mëngjes mbetet ftohtë. Në mbrëmje vransirat do të shtohen, aty këtu me mundësi për ndonjë rrebesh të dobët bore.
18.02 – Paradite pjesërisht vranët, ditën kryesisht me diell.
19.02 – Pjesërisht vranët, por me intervale më të gjata me diell gjatë ditës.
Temperaturat minimale pas një rënie edhe deri në -11C, ditëve të ardhshme fillojnë të rriten deri në -2C, të enjten, ndërsa maksimalet gradualisht shënojnë rritje nga 0C, të hënën, deri në 9C ditën e premte.
Edhe ditën e hënë parashihet të fryjë erë mesatare dhe mesatarisht e fuqishme nga verilindja 7-13m/s, e nga dita e martë kryesisht me qetësi dhe era të lehta drejtimesh të ndryshme 1-3m/s.
Shtypja atmosferike do të shënojë rritje shumë lartë mbi vlera normale, e megjithë një tendencë të rënies mbetet mbi vlera normale./Insajderi.com