Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës t’i respektojnë rregullat ligjore dhe të kenë kujdes në përdorimin e fishekzjarrëve dhe mjeteve të tjera piroteknike gjatë festave të fundvitit, njofton Insajderi.
Në njoftimin për media thuhet se për të mos rrezikuar shëndetin, fishekzjarrët dhe mjetet tjera piroteknike duhet të përdoren vetëm nga të rriturit e po ashtu edhe shitja apo blerja duhet të bëhet nga personat e rritur dhe atë sipas kategorisë se fishekzjarrëve.
“Shitja e tyre është e lejuar prej datës 19 dhjetor deri me 31 dhjetor, ndërsa përdorimi nga 26 dhjetor deri me 2 janar”, thuhet në njoftim.
MPB po ashtu njofton se shitja, blerja dhe përdorimi i fishekzjarrëve është i ndaluar në rrugë publike, sheshe, vendbanime të dendura me ndërtesa dhe në të gjitha hapësirat e mbyllura, në afërsi të spitaleve, në mjetet e transportit të udhëtareve, etj.
Me këtë rast, Ministria e Punëve të Brendshme i uron Vitin e Ri 2021 të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës./Insajderi.com