MPB: Mediat s’mund t’i xhirojnë afganët që po qëndrojnë në kamp për shkaqe sigurie

MPB: Mediat s’mund t’i xhirojnë afganët që po qëndrojnë në kamp për shkaqe sigurie

Ministria e Punëve të Brendshme, njoftoi të hënën të gjitha mediat vendore dhe ndërkombëtare se për shkaqe të sigurisë dhe ruajtjes së privatësisë së refugjatëve nga Afganistani të vendosur në Kosovë, për një kohë të caktuar nuk do të kenë qasje në kamp për të marrë pamje.

Sipas njoftimit, kjo masë do të jetë deri në një vendim tjetër.

“Shpresojmë në mirëkuptim dhe ju falënderojmë për interesimin tuaj. MPB do të jetë e hapur për secilin rast, për të gjitha çështjet që janë në interes të publikut”, thuhet në komunikatën për media të MPB-së.

Ndryshe, të dielën në aeroportin e Prishtinës ka arritur avioni i parë me 111 refugjatë afganë, të cilët do të vendosen në Kampin e Bechtel & Enkas në Ferizaj.

Ndërsa, grupi i dytë pritet të arrijë sot, e hënë. Por, koha e saktë nuk dihet ende.

Pos Kosovës, edhe Shqipëria ka pranuar refugjatët afganë.

Strehimi i tyre është i përkohshëm, deri në përmbylljen e procesit të dokumentacionit për emigrim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në ndonjë shtet të Bashkimit Evropian./Insajderi.com