MPB njofton se revokoi lejet e qëndrimit për shtetasit turq

MPB njofton se revokoi lejet e qëndrimit për shtetasit turq

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion në bazë të mandatit të saj për zbatimin e ligjit për të huajt, ka revokuar lejet e qëndrimit për shtetasit e Turqisë, të arrestuar sot.

Duke iu referuar rasteve konkrete Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion ka vepruar në bazë të Ligjit për të Huaj dhe mandatit që ka për shqyrtimin dhe vendosjen e të gjitha kërkesave që kanë të bëjnë me leje qëndrim.

Sipas MPB-së kjo është një procedure ligjore e cila është aplikuar edhe në rastet e mëhershme, si për të huajt me leje qëndrim, gjithashtu edhe për të huajt që kanë fituar shtetësinë e Kosovës dhe u është revokuar për arsye të sigurisë, apo procedurave tjera të parapara me ligjin përkatës.

“Prandaj ne si organ kompetent, gjatë administrimit të provave kemi konstatuar se për personat në fjalë, ka bazë të mjaftueshme ligjore që të merren masat për revokimin e leje qëndrimit të tyre në territorin e Republikës së Kosovës për arsye të përcaktuara me ligjin për të huaj, konkretisht nenit 6 të ligjit ku flet për refuzimin apo revokimin e lejës së qëndrimit për rrethanat e sigurisë shtetërore”, thuhet në një komunikatë të MPB-së.

Pas nxjerrjes së vendimit për revokim të lejes së qëndrimit, është njoftuar Policia e Kosovës si organ kompetent për ekzekutimin e këtyre vendimeve, derisa pas revokimit të lejeqëndrimit, qëndrimi i mëtejmë i këtyre qytetarëve konsiderohet i jashtëligjshëm.

MPB njofton se palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese kundër vendimit për revokim në gjykatën kompetente sipas ligjit për procedurë administrative.