Qytetarët që po hyjnë nga Serbia në territorin e Kosovës dhe po pajisen me tabela të përkohshme të Republikës së Kosovës, po kërcënohen nga persona, identiteti i të cilëve ende nuk dihet, njofton Insajderi.com.
Kështu thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila po dënon ashpër këto kërcënime ndaj qytetarëve që po zbatojnë vendimin e MPB-së, i cili hyri në fuqi nga 20 shtatori.
“Ministria e Punëve të Brendshme ka pranuar informacione se qytetarët të cilët janë pajisur me tabela të përkohshme janë duke u kërcënuar nga persona deri më tani të paidentifikuar. Ministria e Punëve të Brendshme dënon ashpër këto kërcënime në drejtim të qytetarëve të cilët janë pajisur me tabela të përkohshme sipas Vendimit të MPB-së më datë 20 Shtator 2021”, thuhet në kumtesën e MPB-së.
Forma të tilla të kërcënimeve, sipas këtij dikasteri, ndikojnë drejtpërdrejtë në krijimin e një klime ku qytetarët ndihen të frikësuar të jetojnë dhe të veprojnë në vendin e tyre.
“Këto kërcënime janë të papranueshme dhe po pengojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave”, shton MPB.
Çfarëdo forme e kërcënimit, kjo ministri thotë se do të hetohet nga Policia e Kosovës dhe do të merren masa sipas ligjit.
Më tej bëhet e ditur se prej vendimit për vendosjen e targave të përkohshme, përkatësisht para 10 ditëve, deri të mërkurën e 29 shtatorit janë lëshuar 11 mijë e 500 tabela.
Sipas kësaj mase, veturat që hyjnë nga Serbia, duhet që t’i zëvendësojnë targat e veturave me ato të Kosovës, të cilat janë të përkoshme e që zgjasin 60 ditë.
Të pakënaqur për këtë, serbët lokal kanë dalur në pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, që nga dita e parë e reciprocitetit duke bllokuar rrugët dhe duke mos lejuar kështu qarkullimin e asnjë veture.
Për të mbikëqyrur situatën, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në këto pika kufitare. /Insajderi.com