MPJ i kërkon Prokurorisë urdhër-arrest ndërkombëtar ndaj njeriut që flet në emër të Daçiqit

MPJ i kërkon Prokurorisë urdhër-arrest ndërkombëtar ndaj njeriut që flet në emër të Daçiqit

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës i ka kërkuar Prokurorisë së Kosovës lëshimin e një urdhër-arresti ndërkombëtar për Vladimir Cizelj.

Këtë e ka bërë të ditur këshilltari i ministrit në detyrë Pacolli, Jetlir Zyberaj. Sipas tij, Cizelj ka kryer aktivitet kriminal ndaj sovranitetit të Kosovës.

“Ditët e fundit është folur shumë për Vladimir Cizelj. Ky kriminel i lidhur me rrjetet ndërkombëtare të krimit të organizuara dhe i përfshirë thellë në afera korruptive në të gjithë botën në emër të Ivica Daçiç është përpjekur të shkaktojë dëme ndaj Kosovës”, thuhet në kërkesë.

“Ne kemi qenë duke kundërshtuar atë dhe shefin e tij me vite dhe bota ka kuptuar veprimet e pista të Daçiqit dhe të Cizeljit. Prokuroria e Kosovës duhet të lëshoj një urdhër arrest ndërkombëtar kundër këtij personi, pasi ai ka shkaktuar përmes aktiviteteve kriminale dhe bandave kriminale një sulm ndaj sovranitetit të Kosovës. Aktiviteti kriminal është fytyra e vërtetë e diplomacisë serbe, siç ishte kryerja e krimevë të luftës në Kosovë fytyra e vërtetë e Beogradit”, ka thënë MPJ.