MPJ: Jeremiqi nuk obligohet të marrë leje për të hyrë në Kosovë

MPJ: Jeremiqi nuk obligohet të marrë leje për të hyrë në Kosovë

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka sqaruar se ish-ministri serb i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiq, i cili gjatë ditës ka qëndruar në Pejë, nuk bën pjesë në listën e zyrtarëve të cilët duhet të kërkojnë leje për të hyrë në Kosovë.

Bashmir Xhemaj, shef i kabinetit në MPJ, i ka thënë Insajderit se kjo ministri është njoftuar paraprakisht nga autoritetet policore për vizitën e Jeremiqit.

“Ai nuk hyn në kategorinë e zyrtarëve të cilët duhet të kërkojnë leje paraprake për vizita sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe sikurse çdo qytetar tjetër i Kosovës apo i Serbisë mund të hyj në shtetet përkatëse vetëm me kartë identiteti”, ka thënë ai.

Mediat serbe raportuan se Jeremiq ka ardhur në Kosovë për të bërë fushatë për zgjedhjet presidenciale. Jeremiq ka shërbyer si Ministër i Jashtëm i Serbisë nga vitet 2007 deri në vitin 2012, dhe ka qenë një nga kundërshtuesit më të mëdhenjt të pavarësisë së Kosovës. Ai kishte kandiduar gjatë vitit 2016 për t’u bërë Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, duke u zotuar se gjatë mandatit të tij, assesi nuk do të lejonte Kosovën të bëhej anëtare e kësaj organizate.

Edhe kryeministri serb Aleksandar Vuciq ka paralajmëruar se do të vijë në Kosovë gjatë fushatës./Insajderi.com