MPJ konfirmon se Mali i Zi kishte vendosur gabimisht fusnotën te emri i Kosovës

MPJ konfirmon se Mali i Zi kishte vendosur gabimisht fusnotën te emri i Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, zhvilloi pasditen e sotme një bisedë miqësore telefonike me ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha, njofton Insajderi.

MPJ bën të ditur se ministrja Haradinaj-Stublla me këtë rast u interesua për përmbajtjen e një dokumenti të Ministrisë së Shëndetësisë të Malit të Zi, në të cilin Kosova shfaqej me fusnotë.

“Sipas informatave zyrtare që ka pranuar MPJD, përmes kanaleve diplomatike, fusnota ishte vendosur aty jo qëllimisht, si një gabim i cili u përmirësua shpejtë”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Në bisedë me Ministren Haradinaj-Stublla, ambasadori Dinosha tha se është njoftuar zyrtarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi se bëhet fjalë për gabim teknik.

“MPJ e Malit të Zi përmes një telefonate zyrtare më njoftuan se bëhet fjalë për një gabim teknik i cili u përmirësua dhe për të cilin është njoftuar tanimë edhe opinioni publik”, u shpreh Ambasadori Dinosha./Insajderi.com