MPJ përgënjeshtron mediat serbe për futjen e grupeve të armatosura në Maqedoni

MPJ përgënjeshtron mediat serbe për futjen e grupeve të armatosura në Maqedoni

Ministria e Punëve të Jashtme përmes një njoftimi për media përgënjeshtron shkrimet e ditëve të fundit në mediat serbe, për gjoja futjen e grupeve të armatosura nga Kosova në Maqedoni.

MPJ i konsideron të pavërteta, qëllimkëqija dhe tendecioze shkrimet e mediave serbe, që sipas saj kanë për qëllim destabilizimin e rajonit.

 

“Çdo tentativë, e kujdoqoftë, për të paraqitur Kosovën si gjenerator të destabilitetit dhe pasigurisë, është tendencioze dhe me prapavijë për të realizuar agjendat të cilat kanë për synim destabilizimin e rajonit dhe pengimin e proceseve euro-atlantike, për të cilat Kosova dhe qytetarët e saj janë të orientuar”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

“Këto tendenca, për ta prezantuar Kosovën vend jo stabil dhe të pasigurtë, kanë për qëllim krijimin e një pamje negative për shtetin tonë jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe përpjekje për të goditur interesat vitale sikurse janë zhvillimi ekonomik, investimet e huaja, partneriteti rajonal, njohjet e reja dhe karakterin demokratik dhe shumëetnik të Kosovës”, thuhet më tej në njoftim.

MPJ siguron qytetarët dhe partnerët e saj se Policia e Kosovës dhe institucionet e sigurisë, vazhdimisht janë proaktive me masa dhe veprime konkrete në tërë territorin e vendit me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe të garantimin e stabilitetit të vendit.

“Falë këtyre angazhimeve dhe profesionalizmit të treguar të institucioneve të sigurisë ndër vite, sot Kosova nuk është vetëm konsumues i sigurisë dhe stabilitetit por edhe një aktor i përfshirë rajonal dhe ndërkombëtar”.