Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thotë se ende nuk është njoftuar zyrtarisht për vendimin e ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, lidhur me shfuqizimin e katër dekreteve, që do t’i kthejë në Kosovë katër konsujt e përgjithshëm të emëruar disa muaj më parë, njofton Insajderi.
Kështu është bërë e ditur nga kjo ministri për Express, të cilët thonë se nuk kanë pranuar asnjë dokument zyrtar nga Presidenca lidhur me këtë vendim.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk ka pranuar ende zyrtarisht nga Presidenca asnjë dekret në lidhje me atë që është raportuar në media – shfuqizimin e dekreteve për katër konsujt të përgjithshëm”, thuhet në përgjigjen e ministries, duke shtuar se nuk mund të ndërmarrin asnjë hap, derisa t’i pranojnë zyrtarisht dokumentet nga Presidenca.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk mund të ndërmarrë asnjë hap, pa i pranuar zyrtarisht dekretet për të cilat po pyesni. Deri tash, siç e potencuam më lartë, MPJD nuk ka pranuar asgjë nga Presidenca në lidhje me këtë”, thuhet në përgjigje.
Të mërkurën, Presidenca ka njoftuar se u.d. e presidentes, Vjosa Osmani i ka shfuqizuar katër dekretet për emërimin e konsujve të përgjithshëm të Kosovës në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.
“Për më tepër, bazuar në informatat që na janë dërguar, për këta konsuj të përgjithshëm nuk kishte ekzekuaturë/pëlqim nga shteti pritës. Ndërkaq, sa i përket rastit të katërt, atij të konsullit në Tiranë, u.d. Presidentja Osmani ka vendosur ta shfuqizojë dekretin për emërimin e konsullit të përgjithshëm, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, propozim ky i cili nuk ishte marrë për bazë nga Presidenti paraprak”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidentes. /Insajderi.com