MPJD demanton lajmin se zyrtari rus “non-grata” është në Kosovë

MPJD demanton lajmin se zyrtari rus “non-grata” është në Kosovë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka demantuar lajmin se një zyrtar rus i cili është shpallur person “non-grata”, është në Kosovë, përcjell Insajderi.com.

Përmes një komunikate, MPJD ka deklaruar se personi që është paraqitur në media nuk është asnjëri nga zyrtarët e Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë.

Zyrtari rus që u raportua se është në Kosovë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), njofton opinionin publik se lajmi që po qarkullon në disa media online lidhur me zyrtarin rus të shpallur person non-grata që kinse është parë në Prishtinë, është i pavërtetë.

Personi që është ekspozuar në media nuk është asnjëri nga zyrtarët e Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, të cilët u shpallën persona non-grata ditë më parë nga MPJD-ja. MPJD, është në favor të informimit të drejt dhe të saktë dhe është e përkushtuar për të shmangur keqinformimin e audiences”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ndërkaq, lajmin se një zyrtar rus “non-grata” po qëndron në Prishtinë e ka mohuar edhe Policia e Kosovës duke thënë se personi i paraqitur në foto, është një punonjës në zyrën ruse në Kosovë.

Lidhur me këtë rast kanë reaguar edhe nga Presidenca e Kosovës, ku Blerim Vela, Shefi i Kabinetit të Presidentes, Vjosa Osmani, ka deklaruar se personi në fotografi nuk është “Denis Vengerskii”.

Ndryshe, më 22 tetor, presidentja, Vjosa Osmani, ka njoftuar se dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës ruse në Kosovë janë shpallur persona non-grata (të padëshiruar)./Insajderi.com