MPJD lejon Petkoviqin të vizitojë Kosovën

MPJD lejon Petkoviqin të vizitojë Kosovën

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, do të qëndrojë të hënën dhe të martën e 12 dhe 13 korrikut për vizitë në Kosovë, me lejen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njofton Insajderi.

Nga MPJD thonë se Petkoviq ka bërë kërkesë për lejimin e vizitës në Kosovë bazuar në marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2014 në Bruksel.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka aprovuar kërkesën për lejim të vizitës në Republikën e Kosovës për zyrtarin serb Petar Petkoviq, për datat 12-13 korrik 2021. Kërkesa është bërë bazuar në Marrëveshjen për vizitat zyrtare, e nënshkruar në vitin 2014, në Bruksel”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së, raporton KP.

Nga ky dikaster theksojnë se Petkoviq është i obliguar që të respektojë protokollin dhe agjendën si dhe t’iu përmbahet deklamimeve politike, gjuhën nxitëse dhe retorika kundër Kosovës.

“Zyrtari në fjalë është i obliguar që të respektoj protokollin dhe agjendën, dhe njëkohësisht të përmbahet nga deklarimet politike, gjuha nxitëse dhe retorika kundër Kosovës”.

“Çdo tejkalim i këtyre rregullave, do të ndikojë që MPJD-ja të refuzojë kërkesat e radhës nga Serbia”, përfundon përgjigja e MPJD-së.

Petar Petkoviq do të marrë pjesë në një akademi të organizuar në “Shtëpinë e Kulturës”, me rastin e shënimit të 30 vjetorit të themelimit të Komunës së Zveçanit. /Insajderi.com