MPJD: Ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm do të zvogëlojë ndjeshëm kuotën e emërimeve politike

MPJD: Ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm do të zvogëlojë ndjeshëm kuotën e emërimeve politike

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se Ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm do të zvogëlojë ndjeshëm kuotën e emërimeve politike si dhe do të ofrojë saktësi në implementim, njofton Insajderi.

Nga kjo ministri kanë bërë të ditur se kanë mbajtur punëtorinë e radhës e grupit punues për rishikimin e Ligjit të ri për Shërbimin e Jashtëm, ku janë shqyrtuar komentet e fundit të draft-ligjit para se ai të dërgohet për konsultim dhe miratim në Qeveri.

“Ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm do të zvogëlojë ndjeshëm kuotën e emërimeve politike dhe do të ofrojë saktësi të dispozitave si dhe siguri juridike për diplomatët e karrierës. Ky ligj do të krijojë një shërbim të jashtëm funksional, efikas dhe të bazuar në llogaridhënie precise”, thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se ministrja Haradinaj-Stublla i ka ofruar mbështetjen e plotë të saj anëtarëve të Grupit Punues, që drafti final i këtij Ligjit të jetë profesional.

”Me kërkesë të Ministres Haradinaj-Stublla, duke u bazuar në prioritetet qeverisëse, Ligji i ri, po ashtu, do të ketë si dispozitë kalimtare edhe vettingun diplomatik – të paralajmëruar nga shefja e diplomacisë kosovare qysh në fillim të mandatit të saj”, thuhet tutje në njoftimin e ministrisë./Insajderi.com