
Ministria e Shëndetësisë ka reaguar ndaj deklarimeve të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, lidhur licencimin e laboratorëve privatë për kryerje të testimeve për COVID-19, të cilat nuk janë të regjistruara si biznese, njofton Insajderi.
Bordi për Licencim të Institucioneve Shëndetësore Private i Ministrisë së Shëndetësisë sqaron se ka bërë licencimin e vetëm atyre laboratorëve që kanë plotësuar kriteret.
“Sa i përket certifikatës së biznesit, ajo nuk është kriter i aplikimit për lëshimin e lejes për kryerjen e testeve COVID-19, duke qenë se institucionet kanë pasur licenca valide si veprimtari dhe ato e kanë pasur për obligim që certifikatën e biznesit ta dëshmojnë në momentin e aplikimit për licencimit të institucionit si tërësi”, thuhet në reagim.
Ministria e Shëndetësisë thotë se pa certifikatë të biznesit, ato nuk mund të licencohen për ushtrimin e asnjë veprimtarie shëndetësore. /Insajderi.com