Përkundër kërkesave për rishikim të masave për hyrje-dalje në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë nuk e ka në plan një gjë të tillë.
Përmes një njoftimi për media, nga ky dikaster kanë thënë se të gjitha masat e ndërmarra kanë qenë rezultat i analizës së rregullt të situatës epidemiologjike në vend, konsultimeve me profesionistët shëndetësorë dhe Komisionin këshill-dhënës lidhur me COVID-19.
Vendimi, siç rithekson MSh-ja nuk kërkon domosdoshmërisht dëshminë e vaksinimit me tri doza të vaksinës për të hyrë në Kosovë, duke pasur gjithashtu mundësinë e hyrjes me dy doza bashkë me praninë e testit negativ RT PCR jo më të vjetër se 48 orë, “rregull qe është praktikuar edhe nga shtete te tjera”.
Shtetasit e Kosovës mund të hyjnë edhe nëse nuk i kanë dy doza të vaksinës, por duke iu nënshtruar karantinimit shtëpiak për një periudhë prej shtatë ditësh që nga hyrja në territorin e Republikës së Kosovës”.
“Ministria e Shëndetësisë rikujton se nga mesi i javës së kaluar Kosova ka parë një rritje të shpejtë të raste të COVID-19, duke shkuar deri në mbi 3.000 raste të reja në ditë, dhe kjo ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të pacientëve në spitale, ndërkaq shkalla e lartë e vaksinimit është thelbësore në mënyrë që sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet, e në këtë drejtim të minimizojmë rastet e vdekjeve”.
“Duke pasur parasysh që vendimi për masat kundër COVID-19 vlen për periudhën deri me 04 Shkurt 2022, dhe se bazohet në vlerësimin e situatës së intensitetit të përhapjes dhe kapacitetit të sistemit shëndetësor për t’u përgjigjur, por duke i vlerësuar ato edhe nën dritën e efekteve të këtyre masave që mund të ketë në mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë dhe individëve”.
Mekanizmat kundër COVID-19, ministria thotë se do të monitorojnë në baza ditore situatën epidemiologjike lidhur me COVID-19.
“Dhe deri në fundin e javës, institucionet tona do të mund të kenë një pasqyrë më gjithëpërfshirëse se cili ka qenë ndikimi i rritje së rasteve të COVID-19 në ngarkesën spitalore dhe në varësi të kësaj, si dhe të numrit të rasteve të reja gjatë ditëve në vijim, të gjitha masat do të mund të rishikohen”.
Ndryshe, Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, dhe kryetari i Komunës së Bujanovcit, Nagip Arifi, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës rishikimin e kësaj mase. Kjo pasi sipas tyre, kjo masë ka vështirësuar dukshëm lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Preshevës dhe Bujanovcit./Insajderi.com