MSh: Nuk ka nevojë për grevë, për paga vendos Qeveria

MSh: Nuk ka nevojë për grevë, për paga vendos Qeveria

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas paralajmërimit të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës për grevën të përgjithshme 24 orëshe e cila do të fillojë nesër në të gjitha insitucionet shëndetësore të vendit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nuk ka nevojë për grevë, meqë shumica e çështjeve të ngritura nga kjo sindikatë janë diskutuar, sqaruar dhe zgjidhur në takimin e përbashkët të mbajtur në mars në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Siç dihet tashmë, Projektligji për pagat është tërhequr nga procedura e dërgimit në Kuvend nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe deri në një procedim tjetër, palët e interesuara do të kenë mundësi të shprehin pikëpamjet e tyre dhe të avokojnë për zgjidhjet më të përshtatshme për të gjitha kategoritë, përfshirë këtu edhe punonjësit shëndetësor”, thuhet në komunikatën e Minsitrisë së Shëndetësisë.

Po ashtu në këtë komunikatë thuhet se për ngritjen e pagës për profesionistët shëndetësor, është përgjegjësi e Qeverisë.

“Ministria e Shëndetësisë do të mbështesë dialogun social si opsionin më racional për të gjetur zgjidhje për secilin problem dhe rikujton të gjithë profesionistët shëndetësor për përgjegjësinë që kanë në përputhje me ligjet në fuqi për të ofruar shërbime shëndetësore për qytetarët e vendit dhe për të mbrojtur shëndetin e tyre”, përfundon komunikata.

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës përkatësisht punëtorët shëndetësor kanë paralajmëruar se nesër do të shpallin grevë të përgjithshëm 24 orësh në gjitha Institucionet Shëndetësorë. /Insajderi.com