Lidhur me raportimin e qytetarëve se laboratori “Medical & Laboratory Services”, i cili po merr nga 200 euro për testimet për COVID-19, ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë, njofton Insajderi.
MSH në sqarimin e saj e ka arsyetuar laboratorin duke thënë se testi që është realizuar në këtë laborator është një lloj tjetër më i shtrenjtë dhe varet prej qytetarëve nëse duan ta bëjnë apo jo.
“Në institucionin privat shëndetësor që ofron teste molekulare, sipas informacioneve të siguruara, testi PCR kushton 65 euro, ndërsa testi tjetër PCR (genex covid test), rezultatet e të cilit jepen brenda 45-60 minutash deri në 200 euro. Është plotësisht në të drejtën e qytetarit nëse do të zgjedh të kryej një test serologjik apo PCR test sikurse edhe çmimin të cilin do ta paguaj”, thuhet në sqarimin e MSH-së.
Kjo ministri deri më tani nuk ka arritur të shtojë numrin e testeve PCR në laboratorët publik, ndërsa ka licencuar 118 institucione private, dy prej të cilave për PCR.
Laboratori i kolegjit UBT ende nuk ka filluar me testime për shkak se nuk ka arritur të realizojë veprimtarinë në përputhje me licencën që ka marr. /Insajderi.com