MSh-së i bëhet thirrje që punëtorët shëndetësorë të cilët refuzuan vaksinimin me AstraZenecan, t’i vendosë në fund të listës

MSh-së i bëhet thirrje që punëtorët shëndetësorë të cilët refuzuan vaksinimin me AstraZenecan, t’i vendosë në fund të listës

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë i ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që të gjithë ata punëtorë që kanë refuzuar të vaksinohen me vaksinën AstraZeneca, kur e kanë pasur radhën, të vendosen në fund të listës së pritjes për vaksinim me Pfizer, njofton Insajderi.

Përmes një komunikate për medie, nga kjo shoqatë janë shprehur se me ardhjen e donacionit prej rreth pesë mijë vaksinave Pfizer, MSh-ja i ka vendosur në rend të parë sërish punonjësit shëndetësorë që refuzuan të vaksinohen me AstraZenenca, dhe kjo sipas tyre, është diskriminim.

“Ditë më parë Kosova u furnizua me rreth 24 mijë doza të vaksinës ASTRA ZENECA, si donacion i mekanizmit COVAX. Të parët që kishin të drejtë të qasen në ato vaksina ishin stafi shëndetësor, pa dallim moshe, sëmundje, niveli etj. Edhe pse stafi shëndetësor patën një të drejtë të tillë, një pjesë e madhe e tyre refuzuan të vaksinohen me vaksinën e lart-cekur, duke mos dhënë një shembull të mirë për qytetarët dhe duke mos u solidarizuar me kolegët e vet të cilët pa hezitim vendosën të marrin vaksina të tilla! Kjo prekë në esencë edhe etikën mjekësore dhe e vë në pikëpyetje epitetin “Hero” të cilin ua dha shoqëria!”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre është e padrejtë dhe jo etike që “përderisa Kosova ka mungesë masive të vaksinave dhe në anën tjetër ka shumë grupe të rrezikuara të shoqërisë (të cilët po vdesin në mënyrë të vazhdueshme), të privilegjohet stafi shëndetësor në këtë mënyrë”.

Në anën tjetër, ata kanë kërkuar që sa më shpejtë të gjithë qytetarëve t’u jepet mundësia për t’u vaksinuar./Insajderi.com