
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se do të dërgojë edhe mostra të tjera pozitive me SARS-CoV-2 për sekuencionim përmes projektit ECDC në Eurofin Genomics, Gjermani, njofton Insajderi.com.
Në këtë njoftim të ministrisë thuhet se të hënën e javës së ardhshme do të dërgohen këto mostra të cilat janë mbledhur gjatë dy javëve të fundit.
“IKSHPK planifikon që të hënën më 15.11.2021 të dërgojë mostrat e tjera pozitive me SARS-CoV-2 të mbledhura gjatë dy javëve të fundit, përmes të njëjtit projekt, me qëllim të mbikëqyrjes virologjike të varianteve të SARS-CoV-2 në qarkullim në Kosovë”, thuhet në njoftim.
“Situata epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë, sipas analizës së situatës epidemiologjike me COVID-19 paraqet rënie të numrit të rasteve për 19.11% krahasuar me dy javët e fundit. Gjithashtu edhe trendi i rasteve të vdekjeve të raportuara nga SHSKUK dhe spitalet që trajtojnë pacientët”.
“Ekipet e IKSHPK po hulumtojnë dhe gjurmojnë pandërprerë të gjitha burimet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve, detektimin e hershëm të rasteve dhe implikimet e mundshme në shëndetin e njeriut për variantin e ri Delta PLUS”, bën të ditur më tej MSh-ja.
Ditë më parë MSh-ja ka dërguar 70 mostra për sekuencionim përmes projektit të ECDC në laboratorët Eurofin, Gjermani, sekuencionimi është bërë në 59 raste, prej të cilave në 12 raste (20.33%) është detektuar varianti Delta Plus (AY.4-like) dhe në 47 raste është detektuar varianti Delta (79,66%). /Insajderi.com