Dhimbje krahu dhe dhimbje koke.
Këto janë efektet anësore që fëmijët mund të kenë pas marrjes së vaksinës kundër Coronavirusit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, këto janë shenja normale që tregojnë se trupi po ndërton mbrojtje nga virusi.
“Efektet anësore zakonisht zhduken pas 1-2 ditëve dhe janë të ngjashme me efektet anësore të vaksinave të tjera të fëmijërisë”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Faik Hoti, zëdhënës i MSH-së.
Në Kosovë dhënia e vaksinës antiCOVID e prodhuar nga Pfizer/BioNTech për fëmijët e moshave 12-15 vjeç është miratuar në muajin nëntor.
MSH-ja kishte bërë të ditur se vaksinimi i kësaj grup-moshe do të bëhet në të gjitha qendrat e Kosovës vetëm në prani të prindit apo kujdestarit ligjor dhe se nuk ka nevojë për caktim të terminit paraprakisht.
“Përvoja nga shtetet që kanë nisur aplikimin e vaksinës të grup-mosha 12-15 vjeçe, flasin për siguri dhe efikasitet të lartë të kësaj vaksine edhe tek fëmijët, duke i mbrojtur ata nga të gjitha variantet e SARS-COV-2, përderisa efektet e mundshme anësore janë të papërfillshme në raport me përfitimet nga vaksinimi”, kishte njoftuar ministria./Insajderi.com