Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka komentuar procesin zgjedhor të ditës së diel, njofton Insajderi.
Muhaxheri ka thënë se Kosova ka përmbyllur një proces të rregullt zgjedhor shembullor, duke shtuar se do të angazhohen për ndryshime të nevojshme dhe do të punojnë për fitoren e LDK-së.
“Të dashur veprimtarë, anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së, faleminderit përzemërsisht për besimin që na keni dhënë në vazhdimësi! Kosova ka përmbyllur një proces të rregullt zgjedhor shembullor dhe kjo tregon kulturën tonë demokratike të shkëlqyer. Ne do të angazhohemi për ndryshimet e nevojshme dhe do të punojmë për fitoren e LDK-së”, ka shkruar Muhaxheri në profilin e tij në Facebook.
Theksojmë se një ditë pas zgjedhjeve parlamentare, Isa Mustafa ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij si kryetari i LDK-së.
Mustafa në një konferencë për media theksoi se rezultati i zgjedhjeve për LDK-në ishte shumë i keq.
“Kishim mbledhjen e kryesisë që e thirra unë pas rezultateve të zgjedhjeve. Rezultati është shumë i keq për LDK-në, rezultat që ne nuk e kemi pritur fare as nga puna në teren e as nga puna që ka bërë kryeministri Avdullah Hoti. Qytetarët e thanë fjalën e tyre përmes votës dhe në shenjë të respektimit të kësaj vote, unë sot e kam njoftuar kryesinë se do ta thërras kuvendin e LDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri në një periudhë të shpejtë kohore me statut e kemi 60 ditë që ta bëjmë këtë mirëpo unë do ta bëjë më shpejtë këtë”, kishte thënë ai.
Ndryshe, sipas rezultateve të deritanishme, LDK është radhitur partia e tretë, me një përqindje të ulët krahasuar me zgjedhjet e vitit 2019./Insajderi.com