Nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri ka thënë se qeveria ka vullnetin për të kaluar ligjet e rëndësishme për shtetin por po mungojnë votat në Kuvend edhe për shkak të pandemisë.
Muhaxheri në RTV Dukagjini ka thënë se nuk ka informacione se ka probleme serioze me Listën Serbe.
“Qeveria po beson se në leximin e ardhshëm e kalon Ligjin për rimëkëmbje dhe buxhetin. Problemet tjera do të lindin në fazat e mëvonshme”.
Nënkryetari i LDK-së thotë se ndihma e parë qe qeveria ka ndarë për bizneset ka ndikuar mirë te operimi i këtyre të fundit por sipas tij nuk ka mundësi për ndihma tjera pa kaluar Ligji për rimëkëmbje ekonomike.
“Në bazë të informacioneve që kam në seancën e ardhshme qeveria i ka siguruar votat në Kuvend dhe do ta kalojë Ligjin për rimëkëmbje ekonomike. Do të ishte mirë që të kalohet edhe buxheti për vitin e ardhshëm e më pas të diskutohen problemet tjera”.
Muhaxheri thotë se qeveria është duke funksionuar mirë pavarësisht se nuk po mundet t’i sigurojë votat në Kuvend për disa projekte.