Muhaxhiri: E pazakontë këmbëngulja e Haradinajt të jetë president – do të duhej ta priste një moment më të favorshëm

Muhaxhiri: E pazakontë këmbëngulja e Haradinajt të jetë president – do të duhej ta priste një moment më të favorshëm

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka komentuar në lidhje me zhvillimet e sotme në vend, ku së fundmi kryetari i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar se nëse ai nuk do të marrë pozitën e presidentit, partia që ai drejton mund të dalë nga koalicioni qeverisës dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

Ky deklarim i Haradinajt, për Muhaxhirin është i pazakontë, meqë ky i fundit thotë se kjo është hera e parë që një politikan po këmbëngul publikisht për postin e të parit të vendit.

“Në fakt ishte pak e çuditshme dhe befasuese ajo që u tha sot nga ana e Ramush Haradinajt. Zakonisht kur është në pyetje posti i presidentit, bisedat dhe takimet bëhen në prapaskenë. Së pari është me rëndësi që të sigurohet një bashkëpunim dhe përkrahje në mënyrë që të arrihen votat në Kuvend dhe pastaj ata politikanë të cilët arrijnë që ta kenë një fuqi brenda Paralamentit, aty ku bëhet zgjedhja e presidentit, dalin në skenë qëndrimet, kërkesat apo marrëveshjet e tilla. Këtu është befasia, sepse është hera e parë që kemi insistim publik për këtë post”, ka thënë ai.

Muhaxhiri në Info Magazine të Klan Kosovës ka vlerësuar se ky nuk është momenti më i favorshëm që Ramush Haradinaj ta synojë postin e presidentit.

“Është kohë tejet problematike, sepse derisa nuk qartësohen aktakuzat ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe Kadri Veselit është pak joetike të bisedohet në këtë moment. Pasi që të kemi qartësim nga Gjykata Speciale mund të fillojnë debatet, por aktualisht është akoma herët”.

“Është një ambicie që do të duhej të priste pak derisa të krijohet një kontekst më i favorshëm sa i përket votave në Parlament, marrëveshjeve, por posaçërisht vendimit të Gjykatës Speciale”.

“Kam frikë se Ramush Haradinaj, për faktin se AAK-ja është partia e katërt, do ta ketë të pamundur t’i kalojë të gjithë këto shkallë dhe të fitojë postin e presidentit. Ramush Haradinaj ndoshta ka marrë vullnet nga PAN-i, por PAN-i ishte një kreaturë politike tejet e çuditshme, sepse dy javë para se të krijohej PDK-ja dhe AAK-ja ishin në konflikt shumë të madh dhe vetëm në natën e fundit të afatit për dorëzimin e  listave u bë koalicioni – por, u pa që nuk funksionoi”, ka thënë ndër tjerash Muhaxhiri. /Insajderi.com