Muja e Bajrami replikojnë në Kuvend rreth bizneseve dhe tendereve

Muja e Bajrami replikojnë në Kuvend rreth bizneseve dhe tendereve

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, thotë se nga Ministria e Infrastrukturës po nënshkruhet dhjetëra tendere njëburimore (tendere që nuk janë publike), njofton Insajderi.

Në seancën e sotme plenare për shqyrtimin e dytë të Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Kosovën për vitin 2021, Bajrami tha se derisa Lëvizja Vetëvendosje ishte në opozitë, nënshkrimin e kontratave të këtij lloji i quante korrupsion. Ajo pyeti se si i cilësojnë tani që janë në pozitë, këto kontrata.

“Deri më tani kemi dhjetëra tendere njëburimore që po nënshkruhen nga ministri i Infrastrukturës, z.Liburn Aliu dhe zëvendësministri z.Hysen Durmishi. Çdo ditë kemi raportime dhe dokumente që po nënshkruhen tendere njëburimore. Kur keni qenë në opozitë kontratat e tilla i keni quajtur korrupsion, është mirë ta dijmë të gjithë si po i cilësoni tani ato kontrata?”, ka thënë ajo.

Bajrami më tej tha se buxheti për investime kapitale ka rënie. Te shtylla e pestë e Pakos Ekonomike, Qeveria thonë se i ka 100 milionë euro për investime kapitale, por te tabela 1 e Buxhetit janë 73 milionë euro më pak investime kapitale.

“Pavarësisht se diku te shtylla e pestë e Pakos Ekonomike për të cilën ju thoni se i keni 100 milionë për investime kapitale, te tabela 1 e Buxhetit kemi 73 milionë më pak investime kapitale. Nuk e di se si ka mundësi që t’i kemi për ringjallje ekonomike 100 milionë investime kapitale, derisa kemi rënie për investime kapitale në 73 milionë”, ka thënë ajo.

Deputetja e LDK-së i ka reaguar Armend Mujës që vjen nga LVV, lidhur me rritjen e të hyrave buxhetore, për çka ai tha se është kthyer besimi I bizneseve, për çka Bajrami pyet se se është kthyer ky besim.

“Të thuash që të hyrat buxhetore janë rritur sepse bizneset po paguajnë dhe është kthyer besimi – kjo është jashtëzakonisht e pasaktë. Me cilin veprim të qeverisë është kthyer besimi i qytetarëve dhe i bizneseve? Me tenderin e tiketave ngjitëse të Ministrisë së Infrastrukturës, apo me tenderet njëburimore?”, ka pyetur ajo.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka deklaruar se me anë të rishikimit të buxhetit do të rriten të hyrat për vendin, ndërsa do të zvogëlohet borxhi publik.

“Bizneset si tatimi për të ardhura si në korporata kanë filluar të japin kontribut. Kjo ar ardh për shkak të performancës ekonomike dhe besimit të shtuar në qeverinë e re”, ka thënë ai.

“Borxhi publik, në bazë të Ligjit për ndarje buxhetore ishte parashikuar të ketë një vrimë buxhetore prej 563 milionë euro, por me rishikimin e buxhetit ky borxh është paraparë të zvogëlohet në 473 milionë euro. Në kuadër të projektligjit, të hyrat rritet ndërsa vrimat(borxhi publik) do të zvogëlohet”. /Insajderi.com