Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, përjashton mundësinë që të jetë bërë pazar me ndonjë deputet për t’i bindur që të votojnë Vjosa Osmanin për presidente të Kosovës.
Ai, në një intervistë në Interaktiv, tha se kryeministri Kurti dhe Osmani ishin të gatshëm të dëgjonin këdo për interesat e komuniteteve të tyre, por assesi t’i dëgjonin për interesa personale.
Ai ka folur edhe për deputetin e Romani Iniciativa Fadil Gashi që të shtunën nuk ishte në seancë, por ishte të dielën ë vazhdim të seancës, kur edhe u zgjodh Osmani presidente me 71 vota për.
“Fadil Gashi ka qenë nga ata deputet që e ka votuar qeverinë Kurti, nuk ishte diçka e pazakonshme, pastaj pati reflektim edhe nga deputete të partive tjera dhe u arrit numri prej 81, ishte një nga AAK-ja dhe një nga PDK-ja. Ka pas reflektim individual. Mund të pretendoj që kam pasur informacion, mirëpo ajo që siguroj ty, shikuesit dhe votuesit, është se nuk ka pasur qasje transaksionale, të cilën jemi mësuar ta shohim gjatë zgjedhjeve të presidentëve të në të kaluarën. Nuk ka pas diskutime sa i përket ambasadave e terminaleve, as pozitave që u shkojnë në favor të familjarëve të ngushtë. Kurti e Osmani kanë qenë të gatshëm me dëgjojnë të gjitha kërkesat që shkojnë në favor të komuniteteve, por jo kërkesat personale të deputetëve”, ka thënë Muja./Insajderi.com