“Mund të publikohen edhe non paper tjerë”

“Mund të publikohen edhe non paper tjerë”

Ardian Arifaj, ish-këshilltari i Hashim Thaçit, ka paralajmëruar se mund të publikohen edhe “non paper” të tjerë.

Por, sipas tij – këto dokumente, assesi nuk bën që Kosovën ta dekurajojnë nga bisedimet me Serbinë.

“Kjo ka disa ide të reja, të padëgjuara ndonjëherë të cilave ndoshta nuk ja vlen të diskutohen, ka ide të rrezikshme. Do të ketë provokime të tilla”, tha ai në Kanl 10, të martën.

Ai tha se Kosova duhet të kërkojë atë që i takon; njohje dhe ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Pas një “non-paper” slloven, të hënën u publikua një tjetër, por duke iu atribuar dy shteteve tjera të Bashkimit Evropian; Gjermanisë dhe Francës.

Përpos shteteve të apostrofuara, edhe Brukseli zyrtar ka mohuar vazhdimisht “non-paper” që kanë të bëjnë me ndryshim kufijsh në Ballkan.

Ambasada e Gjermanisë dhe Francës në Prishtinë, ishin në linjën e njëjtë; mbështesim dialogun i cili drejtohet nga emisari i BE-së për këtë çështje, Miroslav Lajçak.

Ky i fundit është bërë cak i kritikave të opozitës në Kosovë për “njëanshmëri”, për sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.

Harta pas shpinës së sllovakut që kontestonte vijën ndarëse gjeografike midis Kosovës e Serbisë, si dhe mos përmendja e emrit ‘Kosovë’ pas takimit që diplomati evropian kishte me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi – ishin argumentet e opozitës ndaj qasjes së Lajçakut.

Me Lajçakun Kurti do të takohet gjatë vizitës dy ditore në qendrën e BE-së, pos me të ai do të ketë edhe 16 takime tjera.

Për këtë takime, zëvendësi i kryeministrit, Besnik Bislimi, deklaroi të martën se do ta informojë opozitën.

Thirrje ndaj opozitës ka bërë edhe kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, pikërisht për dialogun, duke thënë se “duhet të jenë të bashkuar për të ardhmen e Kosovës”. /Insajderi.com