Artan Muhaxhiri: Tani janë muajt e fundit ku presidenti Trump mund të arrijë një sukses në politikën e jashtme, në Ballkan dhe atij do t’i konvenonte që të kishte një ecuri pozitive.
Sociologu dhe njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka vlerësuar që përgjithësisht mungon trenasparenca lidhur me atë se çfarë do të bisedohet në takimin e katër shtatorit në Uashington.
Sipas tij, etapa finale e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë vetëm për çështje ekonomike, sepse për më shumë, kontesti ndërmjet dy vendeve është çështje politike dhe historike, si dhe me ndikim të madh në gjeopolitikën dhe gjeo-strategjinë e rajonit.
Siç thotë ai, insistimi amerikan se do të bisedohet vetëm për çështjet ekonomike, mund të jetë vetëm si një lloj arsyetimi dhe një lloj tendence për t’i zbutur pozicionet e palëve, të Kosovës dhe të Serbisë, të cilat janë krejtësisht të kundërta në kontekstin e arritjes së një zgjidhjeje paqësore .
“Është evidente që të dyja palët do të duhet që të pranojnë kushtëzime reciproke dhe të bëjnë edhe kompromise të konsiderueshme, nëse dëshirojnë që të arrijnë pajtimin. Përmendja e vazhdueshme e çështjeve ekonomike bëhet me qëllim që edhe opinionet respektive të kenë një lloj pritshmërie për përmirësimin e mirëqenies së tyre në raport me ato kompromise, të cilat do të duhet të bëhen”, theksoi Muhaxhiri.
Muhaxhiri e sheh si reale mundësinë që presidenti Trump të jetë pjesë e takimit të liderëve të Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, janë dy arsye për një mundësi të tillë. Siç thotë ai, prania e Trumpit do t’i jepte peshë shumë më të madhe procesit të dialogut, si dhe prezencës dhe ndikimit amerikan në të.
Gjithashtu, siç vlerëson ai, kjo do të ishte e dobishme edhe për presidentin Trump në periudhën përfundimtare të fushatës zgjedhore për president të SHBA-së.
“Tani janë muajt e fundit ku presidenti Trump mund të arrijë një sukses në politikën e jashtme, në Ballkan dhe atij do t’i konvenonte që të kishte një ecuri pozitive. Mirëpo, është absolutisht e qartë që nuk mund të presim një marrëveshje finale nga ky takim. Nuk mund të presim ndonjë zgjidhje përfundimtare të kësaj çështje, sepse nuk ka parakushte reale për një gjë të tillë. Mirëpo, mund të ketë një avancim drejt një progresi përfundimtar”, tha Muhaxhiri.