Mungon i akuzuari,dështon gjykimi për vjedhje të çokollatave në një dyqan në Prishtinë

Mungon i akuzuari,dështon gjykimi për vjedhje të çokollatave në një dyqan në Prishtinë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarit për vjedhje, Shaqir Mustafa.

Seanca ishte paraparë të mbahej të premten, por ajo ka dështuar për shkak të mungesës së të akuzuarit Mustafa.

Sipas gjykatësit të rastit Hanefi Jashari, gjykata të akuzuarin e kishte ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo në fletëkthesë është konstatuar së adresa e tij është jo e plotë.

Në këtë seancë, ka prezantuar prokurorja e rastit Ferdane Sylejmani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Meqenëse, nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e këtij shqyrtimi, gjykatësi Jashari e ka shtyrë seancën për 15 nëntor, në orën 9:00.

Gjykatësi Jashari tha se për palët prezent, ky komunikim u shërben si ftesë e rregullt, ndërsa i akuzuari për seancën e radhës do të ftohet me urdhëresë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 18 gusht 2017, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Shaqir Mustafa akuzohet se më 24 mars 2017 në Prishtinë, në dyqanin “Viva Fresh Store”, i cili gjendet në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, i akuzuari me qëllim që vetit t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, me përvetësimin e sendeve të huaja të luajtshme, nga dyqani ka vjedhur çokollata, me ç’rast të dëmtuarës “Viva Fresh Store”, i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 1000 euro.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprën penale “vjedhje”, nga neni 325 par.1 të KPK-së. /BetimipërDrejtësi