Afrim Muqiqi nga Oda e Hotelerisë së Kosovës, është deklaruar rreth mbledhjes së sotme të Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, të paralajmëruar nga ora 14:00, për t’i diskutuar masat e reja që pritet të vendosen nga e marta e 6 prillit, njofton Insajderi.
Muqiqi thotë se duke pasur parasysh takimet në të gjitha qytetet e Kosovës me gastronom, do të arrijnë të jenë zë i fuqishëm, duke shtuar se është përdorur standard i dyfishtë pë rata kur janë marrë masat anti-COVID.
“Dihet që prej sallave të dasmave ne mbajmë familje, kurse partitë politike i shfrytëzuan ato për fushata, u rrit numri i të infektuarve kështu që duan tashmë ta mbyllin vendin. Jemi një zëri të bashkuar, ne jemi pro hapjes për të gjitha kategoritë. Ne nuk kemi qëndruar duarkryq gjatë kësaj kohe, i kemi shkuar rrugës institucionale, nuk kemi dalë në rrugë të përballemi me dhunë”, ka thënë ai.
Muqiqi shtoi se kërkesë e qartë është hapja e plotë e gastronomisë.
“Nëse do të marrin masa ne do t’i respektojmë por kjo vetëm nëse mbyllen të gjithë dhe jo vetëm ne. Në të gjitha qytetet nuk ka mbrëmje që nuk janë lokalet plotë. Sektori i sallave është në gjendje të tmerrshme, sot është dita e 400 që ata nuk punojnë”, ka thënë ai.
Visar Demolli, drejtor i Odës së Hotelerisë në Kosovë ka thënë se edhe vitin e kaluar kishin thënë që do mbyllet vendi për dy javë porse sipas tij, kjo zgjati me muaj.
Ai ka lënë fajtorë politikanët për rritjen e numrit të rasteve me COVID-19.
“Ose të ketë mbyllje për të gjithë ose le të hapemi të gjithë. Ne presim të kemi një takim me ministrin Vitia dhe aty të merremi vesh”, ka thënë ai. /Insajderi.com