Murat: Fakte për keqpërdorime në shpronësime ka shumë, prokuroria të veprojë

Murat: Fakte për keqpërdorime në shpronësime ka shumë, prokuroria të veprojë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar edhe njëherë lidhur me shpronësimet për ndërtimin e rrugës nacionale Prishtinë-Pejë, përkatësisht segmenti Kijevë-Klinë-Zahaq.

Sipas tij, toka në kohën e Qeverisë Haradinaj ishte privatizuar për gjashtë euro arin, ndërsa nga ministria ishte vlerësuar me tre mijë e 700 euro arin.

“Toka që AKM/AKP e kishte privatizuar për 6 euro/arin, në tabelat e vlerësimit të dorëzuara me 17 maj në MMPH, ishte vlerësuar me 3,700 euro/ari, pra rreth 600-fishi i çmimit të blerjes”, ka shkruar Murati në profilin e tij në Facebook.

“Por, sikur të mos mjaftonte kjo, Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim me 17 dhjetor 2019, që të njejtën tokë t’a shpronësojë për 7,500 euro/ari, pra 1,200-fishi (me fjalë: njëmijë e dyqind fishi i çmimit të privatizimit)”.

“Sipërfaqja e tërësishme e tokës, e cila për t’u privatizuar kishte kushtuar 4,000 (katër mijë) euro, tani do të shpronësohej për 4,866,000 (katër milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë) euro”.

Pra, nga 43 milionëshi i tërësishëm, Murati thotë se një person i vetëm do të merrte 4.9 milionë euro, “nëse keqpërdorimi do të shkonte deri në fund”.

Ai është shprehur se “fakte si kjo” ka edhe shumë të tjera. Por, krejt çka nevojitet, ka thënë se është veprimi i prokurorisë dhe organeve të rendit.

Debati lidhur me shpronësimet për ndërtimin e rrugës nacionale Prishtinë-Pejë mes ministrave të Qeverisë Kurti dhe partisë së Ramush Haradinaj, ka filluar ditë më parë dhe po vazhdon ende.

Ditë më parë, Murati doli në një konferencë ku tha se ka mospërputhje të shifrave prej 12 milionë eurosh në këto shpronësime dhe se ishte keqpërdorur buxheti i shtetit, në totalin prej 43 milionë eurove sa ishin vlerësuar për procesin e shpronësimit. Madje, lidhur me këtë çështje, ka dorëzuar edhe kallëzim penal në Prokurorinë Speciale. Por, këto akuza i kanë mohuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke i quajtur “shpifje” dhe “propagandë”./Insajderi.com