Murati: 10.43 milionë euro janë investuar në Bono të Diasporës!

Murati: 10.43 milionë euro janë investuar në Bono të Diasporës!

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se janë investuar 10 milionë e 43 mijë euro në Bonot e Diasporës.

“Dje ishte data e fundit për të investuar në emetimin e parë të Bonove të Diasporës. Ky emetim u përmbyll me sukses, duke arritur shumën totale prej mbi 10 milionë euro në emetimin e pare”, ka shkruar Murati në Facebook.

Ai tregoi se ku do të investohen këto mjete financiare.

“Mjetet nga Bonot e Diasporës ne do t’i përdorim për të mbështetur prodhuesit vendorë në kuadër të Masës 2.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, dhe që tani do ta përcjell propozim vendimin për mbledhjen e radhës së Qeverisë”.

Ministri i “kuletës së shtetit”, shprehi falënderim për mërgimtarët që kanë investuar në Bono.

 

Çfarë janë Bonot e Diasporës:

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka njoftuar një muaj më parë se çfarë janë Bomot e Diasporës.

“Bonot e Diasporës janë letra me vlerë të garantuara nga shteti përmes Ligjit mbi Borxhin Publik, i cili i jep përparësi kthimit të borxhit ndaj të gjitha shpenzimeve tjera të Qeverisë. Prandaj, investimi në Bonot e Diasporës mund të konsiderohet si investimi më i sigurt në Republikën e Kosovës”, ishte thënë në njoftim.

“Shuma minimale për blerje te Bonove është 10,000 euro, kurse shuma maksimale për një person në një bankë është 500,000 euro, ashtu që sa më shumë persona të investojnë. Afatizimi (maturimi) 3 vjeçar ka normë interesi 1.20%, ndërsa afatizimi 5 vjeçar ka normë interesi 2.20%. Fitimi nga ky investim është i liruar nga tatimi dhe paguhet çdo 6 muaj deri në përfundim të maturimit”.

Po ashtu, ishte bërë e ditur se Bonot e Diasporës emetohen gjatë periudhës 21 korrik 2021 – 18 gusht 2021.

Letrat me vlerë ose bono të thesarit lëshohen nga Ministria e Financave dhe Transfereve sa herë që qeveria ka nevojë për më shumë para. Këto letra janë borxh i qeverisë. Letrat me vlerë në Kosovë kryesisht blihen nga bankat komerciale./Insajderi.com