Murati prezanton masat e reja për prodhuesit vendorë: Do të subvencionohen kreditë deri në 20 për qind

Murati prezanton masat e reja për prodhuesit vendorë: Do të subvencionohen kreditë deri në 20 për qind

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se kanë përgatitur një sërë masash në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike për prodhuesit vendorë, përcjell Insajderi.com.

Në një konferencë për media së bashku me kryeministrin, Albin Kurti, Murati tha se në kuadër të masës 2.1, prodhuesit vendorë do të mbështeten me subvencionim të kredisë deri në 20 për qind.

Murati tregoi se subvencionimi i kredive do të fillojë nga 1 tetori për të gjitha kreditë që i plotësojnë kushtet.

“Në kuadër të pakos kemi masën 2.1 që parasheh mbështetjen e prodhuesve me subvencionim deri në 20 për qind të shumës së kredisë. Kjo do të bëhet nga 1 tetor për të gjitha kreditë që plotësojnë kushtet”, tha Murati.

Po ashtu, ai tha se do të ketë  edhe subvencionim për trajnimin e stafit të kompanive prodhuese.

Albin Kurti në konferencë.

“Synimi ynë është t’i mbështesim prodhuesit tanë edhe në hallka tjera. Në kuadër është paraparë subvencionimi për 20 mijë euro për trajnimin e stafit dhe 10 mijë euro për stafin menaxherial”, shtoi ai.

Tutje, ministri i Financave, bëri të ditur se do të subvencionojnë deri në 50 mij euro kompanitë prodhuese për ribrendim të produktit, në mënyrë që të ketë marketingun e duhur.

Dhe, një masë tjetër do të jetë subvencionimi deri në 50 mijë euro që kompanitë të marrin pjesë në panaire ndërkombëtare.

“Masa tjetër subvencioni deri më 50 mijë  euro që të marrin pjesë në panaire ndërkombëtare. Këto masa përbëjnë një paketë që të mbështesin prodhuesit, nga data 1 tetor deri në fund të qershorit të muajit të ardhshëm”, tregoi Murati.

Ndërkaq, Kurti u shpreh se eksportet këtë vit janë rritur mbi 60 për qind dhe të hyrat vjetore për 34 për qind.

“Ekonomia e vendit nuk ka përjetuar kurrë një rritje të çmimeve si këtë vit për 10 përqind, duhet të kemi një rritje të prodhimtarisë dhe të eksportit. Aktiviteti ekonomik është shtuar për rreth 30 përqind, eksportet janë rritur mbi 60 përqind, ndërsa të hyrat buxhetore janë rritur për 34 përqind”, ka thënë Kurti./Insajderi.com