Murati: Qeveria me hile po i bën gati paratë për autostradën e Dukagjinit

Murati: Qeveria me hile po i bën gati paratë për autostradën e Dukagjinit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka thënë se Qeveria përmes një hileje po i bënë gati paratë e autostradës së Dukagjinit, njofton Insajderi.

Ai ka thënë se autostrada nuk është buxhetuar me shifrën që parashihej porse do të financohet nga një kategori ku mblidhen para e për të cilat, sipas tij, asnjëherë nuk tregohet se ku shkojnë.

“Autostrada nuk është buxhetuar me shifrën që do të parashihej por kjo është një hile. Hilja qëndron në faktin se këta njësoj si në rishikimin e buxhetit që pati ndodh në muajin korrik, e kanë krijuar një praktikë të paqenë më parë, e kanë krijuar një kategori ku mblidhet një shumë e madhe e mjeteve dhe nuk tregohet se ku do të shpenzohen ato mjete dhe lihen në duart e lira të Qeverisë që pastaj të riorientohen ato para”, ka thënë ai.

Murati thotë se si Kuvend mund ta votojnë buxhetin duke mënduar që nuk po votojnë asfalt e autostrada por pastaj me vendim qeveritar alokohen ato mjete.

Ai ka thënë se në këtë mënyrë partnerët e koalicionit e shantazhojnë njëri tjetrin me këtë buxhet për përkrahje të projekteve.

Murati ka thënë se buxheti i sivjetmë i rishikuar ka qenë 2.6 miliardë euro, ndërkaq projektbuxheti që e ka sjellë në Kuvend Qeveria është 2.4 miliardë euro. Ai ka thënë se nuk do të realizohet i gjithë buxheti.

Sipas tij, kanë të bëjnë me projekte kapitale që kanë procedura për të përmbushur para se të fillojë realizimi./Insajderi.com