Murati tregon se si do të ndahet pakoja e re e Rimëkëmbjes prej 420 milionë eurove

Murati tregon se si do të ndahet pakoja e re e Rimëkëmbjes prej 420 milionë eurove

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se pakoja e re e Rimëkëmbjes do të jetë me vlerë prej 420 milionë euro që do të përfshihet në buxhetin e rishikuar nga Qeveria, njofton Insajderi.

Gjatë mbledhjes së 18-të të Qeverisë për 100-ditëshin e parë të saj, por edhe pas mbledhjes në konferencë me gazetarë, Murati tha se rritja e të hyrave ka mundësuar që të ridizajnohet një pako e re e rimëkëmbjes ekonomike që do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Rritja e të hyrave na ka mundësuar që të dizajnojmë një pako të rimëkëmbjes e cila do të ketë një ndikim shumë të madh në zhvillimin ekonomik të vendit, në krijim të vendeve të reja të punës dhe besoj që do t’ja dalim shumë mirë deri në fund të vitit. Pakoja gjithsej kap vlerën prej 420 milionë euro si dhe mobilizon rreth 700 milionë euro të tjera që është kapital nga grantet, kapitali privat dhe sektori financiar”, tha ai.

“Rreth 50 milionë euro do të jenë mbështetje për krijimin e vendeve të reja të punës. 108 milionë euro të dedikuara për ngritjen e prodhimit vendor dhe rritjen e eksportit. 50 milionë euro mbështetje për familjet. 112 milionë euro për shërbimet publikë dhe 100 milionë të tjera mbështetje për infrastrukturë moderne dhe mbrojtje të ambientit”, ka shtuar Murati.

Ndër masat që janë marrë, Murati thotë se janë të ndara në pesë kategori, duke filluar me mbështetjen e punësimit. Masa e parë ka të bëjë me rikthimin në punë të atyre që kanë humbur vendet e punës gjatë pandemisë dhe do t’i mbështesim për tre muajt e parë për secilin të rikthyer në punë me nga 170 euro, masa e dytë do të jetë mbështetja për të punësuarit e formalizuar. Mbështetja e punësimit të grave është një tjetër masë. Punësimi i garantuar për të rinjtë hynë në kuadër të këtyre masave, si dhe trajnimi dhe punësimi në teknologji informative duke ofruar kupon për të gjithë të rinjtë që menojnë të trajnohet për teknologji informative. /Insajderi.com