Murtezaj: Hoti ka punësuar edhe familjarë të tij në Ministrinë e Financave – nepotizmi ndryshe nuk është

Murtezaj: Hoti ka punësuar edhe familjarë të tij në Ministrinë e Financave – nepotizmi ndryshe nuk është

Drejtori tashmë i shkarkuar i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, është deklaruar pas shkarkimit të tij nga pozita që po mbante në këtë institucion, nga ana e Qeverisë së Kosovës, njofton Insajderi.

Në një konferencë të mbajtur për media, Murtezaj ka treguar rezultatet e këtij institucioni përgjatë periudhës sa ai ishte në krye të saj, mirëpo gjatë fjalës së tij, Murtezaj tha se në Administratën Tatimore është abuzuar me detyrën zyrtare, gjë për të cilat thotë se ka dëshmi, mirëpo sipas tij është heshtur nga ana e linjës vertikale.

Murtezaj duke akuzuar kryeministrin Avdullah Hoti, se ka punësuar familjarë të tij në Ministrinë e Financave, tha se ai ishte në dijeni për shumë abuzime, por nuk ka reaguar.

“Madje kryeministri ka punësuar edhe familjarë të tij në ministrinë e financave, nepotizmi ndryshe nuk është”, tha ai.

Murtezaj bëri të ditur se mbi shtatë mijë biznese që për dy vite radhazi kanë qarkullim prej 3.6 miliardë euro, nuk kanë paguar asnjë cent tatim, gjë që sipas tij, kryeministri Hoti, nuk ka reaguar fare.

“Abuzim me detyrën zyrtare, për të gjitha këto është heshtur nga ana e linjës vertikale. Kjo është pontencuar nga ana ime te organet e drejtësisë. Pas ardhjes sime në detyrë, i kemi qitë në sipërfaqe të gjitha bizneset, si rezultat i kësaj kemi dëshmu që kemi mbi shtatë mijë biznese që për 2 vite radhazi kanë qarkullim prej 3.6 miliardë euro dhe 0 pagesë në tatim. Kjo ka qenë në dijeni të ish-ministrit të financave tashmë kryeministrit dhe nuk kanë reaguar fare”.

“Për një thes kashtë njeriu të shkojë në burg, ndërsa për miliona të heshtura nga zyrtarë të ATK-së, në një shtet normal nuk do të tolerohej”, ka thënë tutje ai./Insajderi.com