Musa: Vendimi i prokurorit të Speciales i pabazuar, PK është më e mira në rajon

Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Skender Musa i ka quajtur të pabaza argumentet e përdorura nga Prokuroria e Speciales për moslirimin me kusht të ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

Musa: Vendimi i prokurorit të Speciales i pabazuar, PK është më e mira në rajon

Avokati, në një prononcim për Shqip.com, vlerëson se Policia e Kosovës i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe se “është në gjendje ta zbatoj ç’do urdhëresë të gjykatës dhe të siguroj që të pandehurit të marrin pjesë në procedurë pa e pengu punën e gjykatës”.

“Padyshim, përfundimet e prokurorit kanë qenë të pabazuara. Për shkak se në bazë të rezultateve që i ka PK, është policia më e mirë në rajon dhe është e pa korruptuar. Nuk ka argumente e as dyshime që PK është e korruptuar në këtë aspekt ose në ndonjë aspekt tjetër karshi policive të vendeve të rajonit”, tha ai për Shqip-in.

Musa, ka përmendur edhe rastet e mëhershme të arrestimeve të figurave të larta politike të Kosovës, të cilat janë kryer nga Policia e Kosovës, e që sipas tij, kanë qenë aksione të pastërta.

“Të akuzuarit që janë në Hagë, nuk kanë ndonjë pozitë institucionale, por edhe sikur ta kishin, ne kemi raste të arrestimit të figurave të larta edhe brenda sistemit të drejtësisë por edhe brenda Qeverive të kaluara dhe nuk ka pas ndonjë problem për me i siguru të akuzuarit në procedurë penale”, deklaroi më tej avokati.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Nga Gjykata Speciale dhe prokuroria Speciale, avokati Musa pret që ta vlerësojnë në mënyrë të drejtë sigurinë që e ofron Policia e Kosovës në rastin e të akuzuarve që gjenden në Dhomat e Specializuara në Hagë.

“Mendoj që edhe Gjykata Speciale edhe Prokuroria Speciale pranë dhomave të Specializuara në Hagë, duhet të besojë dhe ta vlerësojë në mënyrë meritore garancionin që e ka dhënë Policia e Kosovës”, theksoi Musa për Shqip.com.

Theksojmë se Prokuroria e Dhomave të Specializuara përmes një dokumenti të publikuar më 29 nëntor, ka bërë të ditus se ka kundërshtuar garancinë e Policisë së Kosovës për lirimin me kusht të ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

Një nga arsyet e refuzimit për lirimin me kusht të Thaçit ishin dyshimet se ekziston mundësia e ndërhyrjes në procesin gjyqësor në Kosovë, ku u shfaqën edhe akuza se Agjencia Kosovare e Inteligjencës kishte dy agjentë të paraqitur si dëshmitarë për të dhënë dëshmi të fabrikuara.

Në dokument, përmendet edhe sjellja e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së si dhe frika e dëshmitarëve.

“Dëshmitarët nuk kanë nevojë të lëndohen fizikisht për t’u frikësuar; edhe perspektiva e lirimit të të akuzuarve në Kosovë krijon frikë dhe pasiguri te dëshmitarët në këtë rast”, thuhet në dokument./Insajderi.com

Në vijim, dokumenti nga Gjykata Speciale.