Mushkolaj: Dorëheqja e Grabovcit është lojë e PDK-së

Mushkolaj: Dorëheqja e Grabovcit është lojë e PDK-së

Dorëheqja e nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, nga pozita e shefit të Grupit Parlamentar të kësaj partie, nuk është e mjaftueshme dhe nuk do të ndalë protestat e filluara rreth dy javëve më parë kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Kështu ka thënë Imer Mushkolaj, njohës i çështjeve politike dhe një nga organizatorët e #Protestoj, i cili ka thënë se në fakt një akt i tillë i Grabovcit vetëm sa do të inkurajojë njerëzit që t’i bashkohen protestës.

Ai i ka thënë Insajderit se dorëheqja e Grabovcit  është një “lojë të PDK-së, ashtu siç kjo parti bënë zakonisht”.

“Është punë e PDK-së se kënd e kanë ata shef të grupit parlamentar.  Është pazar i tyre.  Dorëheqja e Grabovcit nuk do të thotë asgjë.  Absolutisht asgjë,” ka thënë ai.

Adem Grabovci, protagonist kryesor i Dosjes së Shefave – një seri përgjimesh telefonike të publikuara nga Gazeta Online Insajderi ku dëshmohet se si zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës shtrijnë ndikimin në institucionet e pavarura të vendit – ka dhënë dorëheqje nga pozita e shefit të Grupit Parlamentar të kësaj partie.

Ai ka njoftuar se dorëheqja e tij vije si pasojë e publikimit të këtyre përgjimeve, pasi që sipas tij, “këto kanë krijuar një ambient jo të këndshëm për opinionin publik, institucionet e vendit, PDK-në, por edhe për mua dhe familjen time.”

Disa qindra njerëz i janë bashkuar të martën protestës së katërt me radhë të organizuar nga grupi i qytetarëve të pavarur kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

Gjatë kohës kur po mbahej protesta, protagonisti kryesor i këtyre përgjimeve, Adem Grabovci, njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së.

Protesta e sotme vije pas dy aksioneve simbolike të organizuara: aksionit tek Prokuroria e Shtetit dhe ai afër Partisë Demokratike të Kosovës.

Ashtu siç tashmë është bërë e zakonshme, protestuesit janë mbledhur në sheshin Zahir Pajaziti dhe kanë marshuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovë.

Gjatë marshimit janë dëgjuar brohoritjet si “dorëheqja nuk mjafton”, “me hajna nuk ka shtet”, “hajnat në burg”, e të tjera./Insajderi.com

[iframe id=”https://www.youtube.com/embed/videoseries?list=PLIKGlbXyvgfjhHy2bWiIKDAwyEz5iE5-u” align=”center” mode=”normal” maxwidth=”680″]