Mushkolaj thotë se Isa Mustafa me lehtësi po e pranon koalicionin me PDK-në

Mushkolaj thotë se Isa Mustafa me lehtësi po e pranon koalicionin me PDK-në

Analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, duke pranuar koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës, dëshiron të zgjatë jetën e qeverisjes së LDK-së, njofton Insajderi.

Mushkolaj në emisionin “Debat Plus”, të RTV Dukagjini, është shprehur se përvojat e deritanishme kanë treguar se deklaratat publike të zyrtarëce politikë nuk janë të besueshme sa i përket lidhjes së koalicioneve.

“Kur vjen puna për lidhjen e koalicioneve arsyetohen me vendimet e Këshillit të Përgjithshëm, interesit shtetëror etj”, tha tutje ai.

Analisti thotë se opinioni është duke parë Isa Mustafën që nuk e ka problem koalicionin me PDK-në.

“Bëhet fjalë për një të njëjtin person që pas vitit 2014 e ka përsëritur shprehjen “kurrë më me PDK-në”. Është një qasje e papranueshme për elektoratin e LDK-së. Po flas për elektoratin e vërtet të LDK-së”.

Mushkolaj thotë se përgjegjësia, nëse bëhet koalicion LDK-PDK do të jetë vetëm e Isa Mustafës.

“Por po duket se qëllimi i Isa Mustafës me ftesën që po ja bën PDK-së në këtë rast, nuk është PDK-ja por sigurimi i numrave për qeverinë e LDK-së mos të harrojmë se ai koalicionin e ka për momentin me 61 apo 60 deputetë pasi zoti Arifi mund të shkojë në vuajtje të dënimit”, deklaroi Mushkolaj. /Insajderi.com