Musliu kërkon shkarkimin e ministrit Mehaj: Rrezikon imazhin e FSK-së

Musliu kërkon shkarkimin e ministrit Mehaj: Rrezikon imazhin e FSK-së

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka kërkuar shkarkimin e Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, në seancën e sotme plenare që po vazhdon të mbahet në Kuvendin e Kosoës, njofton Insajderi.

Sipas Musliut, arsyeja e kësaj kërkese, është përgjigja që i ka dhënë ministri pyetjes së saj për pjesëmarrjen veshur me uniformë të FSK-së, të Prindon Sadriut – bashkëshortit të Presidentes Vjosa Osmani – në stërvitjen ushtarake “Europe – Defender 21”.

“Ftoj deputetët e Vetëvendosjes që ta bëjnë, mos të na lënë neve, shkarkimin e ministrit që nuk e di se pse është ministër.  Një përgjigje të tillë nuk do ta prisja nga askush e lëre më nga një ministër i FSK-së”, është shprehur Musliu.

“Bëjeni ju që të mos e bëjmë ne. Kërkoni urgjentisht shkarkimin e këtij ministri që nuk i di kompetencat e veta. Një ministër i tillë e rrezikon imazhin e FSK-së”, tha më tej ajo.

Mehaj në përgjigjen e tij ka thënë se është zyrtar politik, ndërkaq që për pjesëmarrjen e Sadriut është përgjigjur Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama.

“Nuk i komentoj gjërat për të cilat është deklaruar Komandanti i FSK-së”, ka theksuar Mehaj. /Insajderi.com