Musliu: Lumnezi është produkt i ‘Prontos’

Musliu: Lumnezi është produkt i ‘Prontos’

Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se kryeprokurori i shtetit, Aleksander Lumezi, është produkt i aferës “Pronto”. Sipas tij, Lumezi është shfrytëzuar nga Partia Demokratike e Kosovës, njofton Insajderi.

Musliu në Interaktiv të KTV-së ka deklaruar se Lumezi, si kryeprokuror, gjithashtu ka manipuluar provimin e jurisprudencës, dosje kjo që u mbyll nga prokurori Kujtim Munishi, i cili më pas fitoi një vend pune në Prishtinë.

“Anëtarët e Këshillit Prokurorial janë në një rreth vicioz ku emrat e tyre sillen rreth kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, produkt i ’Prontos’. Është produkt i një procesi të PDK-së që e ka shfrytëzuar për amnistitë e veta. Ai si kryeprokuror ka edhe provime të manipuluar të jurisprudencës, dosja e cila u mbyll nga Kujtim Munishi, i cili më pas u bë prokuror në Prishtinë. Çdo jurist do ta kishte lakmi ecjen e shpejtë të Munishit në sistemin e drejtësisë, por sigurisht kjo nuk u bë për shkak të meritave. Kjo ka ardhur nga serviliteti i tij”, ka shtuar Musliu.

Musliu ndër të tjera u shpreh se mungon integriteti në anëtarët e Këshillit Prokurorial dhe prokurorët e shtetit./Insajderi.com