Njohësi i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu, ka thënë se fakti se tashmë presidenti rus, Vladimir Putin ka orientuar energjitë në Bjellorusi, është mundësi e zvogëlimit të ndikimit rus në Ballkan, njofton Insajderi.
Sipas tij, kriza në Bjellorusi pas manipulimit të zgjedhjeve presidenciale, ku Aleksander Lukashenko “mori” 80 % të votave, ka nxjerrë shumë mundësi të përkeqësimit të situatës në këtë vend dhe me reflektime serioze gjithandej, e edhe në Ballkanin Perëndimor.
“Ka pasur edhe më herët elemente përçarëse në mes të Federatës Ruse dhe Vuçiqit. Por, tash mund të konstatohet se energjia e Putinit drejt Bjellorusisë, e dobëson pozicionin e tij në Ballkan, përkatësisht në Serbi. Madje, nuk e përjashtoj se ky është fillimi i fundit të prezencës kaq të madhe ruse në Ballkan”, ka thënë ai për KP.
BBC ka raportuar se Lukashenko, ka thënë se “fuqitë e huaja po dërgojnë trupa ushtarake në kufi me Bjellorusinë”, gjë të cilën e ka demantuar NATO-ja.
Mirëpo, Musliu thotë se kjo është një gjendje paniku e diktatorit Lukashenko.
“Lukashenko mund të luajë planin e Vladimir Putinit, që ta shtypë popullin e vet, përkatësisht protestat kundër manipulimit të zgjedhjeve në Minsk. Mirëpo, kjo nuk ia garanton atij qëndrimin në pushtet edhe pse është veshur me uniformë ushtarake”, ka thënë Musliu.
Madje, sipas tij, paraqitja e Lukashenkos në këtë formë, e tregon se ai është shumë i shqetësuar.
“Duhet ta kemi parasysh që Lukashenko, ky mik i diktatorit serb Slobodan Milosheviq, është një kukull e Putinit. Megjithëse është në pushtet qe më shumë se dy dekada, Lukashenko ndjen frikë se do të bëhet një viktimë që qëndron në zjarrin në mes të Putinit në një anë, dhe popullit të tij në anën tjetër”, ka deklaruar ai. /Insajderi.com