Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, njëherësh edhe deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka njoftuar se kreu i këtij institucioni, Petrit Ajeti, ka raportuar për punën gjashtëmujore, njofton Insajderi.
Siç njofton Musliu, Ajeti u ka thënë se në përgjithësi gjendja e sigurisë në vend është stabile dhe nuk ka vend për shqetësime.
“Sot e kishim në raport të rregullt për gjashtëmujorin e parë të vitit drejtorin e Agjencisë për Inteligjencë Petrit Ajeti dhe është raportuar në përgjithësi për punën, aktivitetin e AKI-së dhe gjendjen e sigurisë në vend”, është shprehur deputetja e PDK-së.
“Duke u bazuar në informatat që janë marrë nga Petrit Ajeti si drejtor i kësaj agjencie gjendja e sigurisë në vend është stabile dhe nuk ka hapësirë për shqetësime ose për ndonjë shqetësim shtesë te qytetarët e Kosovës”, tha Musliu.
I pari i AKI-së, Petrit Ajeti, ka raportuar në këtë komision me dyer të mbyllura pa praninë e medieve. /Insajderi.com